Lidhje

Koronavirusi dhe përpjekjet për zbutjen e pasojave ekonomike


Zyra, rrugë dhe dyqane të zbrazëta në shumë qytete të botës po bëhen një gjë krejt normale. Ndërsa ndikimi i përhapjes së koronavirusit në ekonominë globale po fillon të shfaqë pasojat, disa qeveri po punojnë për hartimin dhe miratimin e paketave të mëdha stimuluese për të shmangur pasoja më të rënda në ekonomitë e tyre më të rënda. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo sjell më shumë hollësi.

Në Shtetet e Bashkuara, gati 3.3 milion njerëz aplikuan për të përfituar pagesën e papunësisë javën e kaluar, një shifër katër herë më e lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur në vitin 1982, sipas Departamentit amerikan të Punës.

Megjithatë, Presidenti Trump po vazhdon me një mesazh optimist.

"Vendi dëshiron të kthehet në punë. Vendi ynë është i ndërtuar për t'u rikthyer në punë. Ne nuk kemi një vend, ku thuhet: "T’i mbyllim gjërat për dy vjet." Nuk mund ta bëjmë këtë. Vendi ynë nuk e bën këtë. "

Duke marrë parasysh rritjen e nivelit të papunësisë, pagesat me para në dorë dhe zgjerimi i konsiderueshëm i përfitimeve për njerëzit e pushuar nga puna u përfshinë në paketën masive financiare prej 2 trilion dollarësh, të miratuar nga Kongresi amerikan.

Ian Smith, i cili kohët e fundit u pushua nga puna e tij në një dyqan të shitjes së verës thotë se paketa stimuluese nuk është e mjaftueshme.

"Nëse bankat, kompanitë ajrore dhe industria e anijeve turistike ndihmohen pa kushte, por njerëzit e klasës punëtore që po mbajnë hapur gjërat themelore duke punuar gjatë kësaj krize, nuk janë në gjendje të marrin një pagë të mjaftueshme jetese përmes kësaj ndihme, atëherë kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe zemëruese."

India gjithashtu ka njoftuar se do të miratojë një paketë ekonomike prej 22.6 miliardë dollarësh për t’u siguruar që askush të mos vuajë nga uria gjatë masave të ashpra kufizuese në mbarë vendin, që kanë lënë në vështirësi dhjetëra miliona njerëz të varfër.

"Ne mbështetemi në pagat tona ditore për ushqim. Nëse nuk ka punë, atëherë çfarë do të hamë dhe ku do të qëndrojmë? Si do të jemi në gjendje të përballojmë ushqimin ose ujin?"

Në Evropë, ku Italia dhe Spanja janë bërë epiqendra të koronavirusit,

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi të enjten një fond të ri për të luftuar pasojat ekonomike të virusit.

"Ne filluam iniciativën e investimeve për të ndihmuar në ndarjen e 37 miliardë eurove, për të zbutur pasojat e krizës së koronavirusit, për të shpëtuar jetë njerëzish, vendet e punës dhe bizneset."

Presidentja e Komisionit Evropian tha se ajo që është bërë tani është e rëndësishme për jetën e shumë personave që po vuajnë nga pasojat e përhapjes së koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG