Lidhje

Tiranë: Bizneset prodhojnë dhe dhurojnë maska kundër COVID-19


Alban Kardashi është drejtuesi i njërit prej bizneseve të Tiranës, që e ka përshtatur prodhimin për nevojat e njerëzve në këtë periudhë të vështirë të koronavirusit.

Ai është artist dhe gjithë jetën është marrë me piktura e korniza, dhe asnjëherë nuke kishte menduar se në repartin e tij do të prodhonte maska mbrojtëse. Njerëzit duhen ndihmuar në këto kohë të rrezikshme, me gjithçka që kemi në dorë, mendoi ai.

“Kërkesa është shumë e madhe. Nuk e di se sa do të vazhdojmë, se sa do të mundemi të vazhdojmë. Kemi kërkesa nga të gjithë spitalet. Deri tani kam patur edhe ndihmën e disa miqve për të blerë materiale” - thotë ai.

Studioja e tij e disajnit dhe dekorit po i përdor të gjitha rezervat materiale dhe financiare për të prodhuar maska mjekësore. Këto maska Albani ua dhuron mjekëve në spitale dhe policëve të shtetit në shërbim.

“Sasitë e para të maskave i dhuruam te Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”. Pjesën tjetër e dërguam të Spitali i Durrësit. Sot po prodhojmë për Spitalin e Durrësit dhe një sasi më të vogël do t’ia dërgojmë policisë së shtetit . Pastaj e ka radhën Spitali i Shkodrës dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”, i cili është Spitali 2 Covid” - thotë ai.

Albani thotë se edhe djemtë që e ndihmojnë në prodhim dhe montim janë vullnetarë, miq të tij që erdhën ta ndihmojnë sapo mësuan dëshirën e mirë për dhurimin e këtyre maskave. Madje ai thotë se në repartin vjen të ndihmojë deri në orët e vona të natës edhe një mjek i urgjencave.

Tashmë nisma e tij është bërë e njohur në kryeqytet. Herë pas here telefoni i tij bie për të kërkuar maska, dhe herë pas here në derën e firmës vijnë edhe qytetarë të thjeshtë që kërkojnë pako me maska, të cilat edhe ata i dhurojnë diku tjetër ku kanë nevojë për to.

“Mësova se Albani ka nisur të prodhojë maska për mjekët dhe erdha të marr disa copë. Nga një anë ky është një kontribut modest imi për Albanin, dhe nga ana tjetër dua t’ua dhuroj këto maska disa miqve të mi doktorë, që t’i ndihmoj sadopak në punë e tyre të vështirë” - thotë qytetari Artan Keçi, i cili këmbënguli gjatë t’i blinte maskat, si shpërblim minimal për sakrificat e djemve në repartin prodhues.

Mjekët që kanë përdorur maskat e para të Albanit i kanë bërë edhe sugjerime për ta përmirësuar këtë produkt artizanal, prodhim dore, të cilin firma po e prodhon vetëm për këto kohë të vështira.

Ata i mësuan si të shkurtojë pak gjatësinë e maskës, si të fiksohet rrethi mbi krye dhe si të gdhendet fortesa plastike mbi ballë, në mënyrë që e gjithë maska të bëhet sa më e volitshme për mjekët dhe të mos i pengojë gjatë punës. Të gjithë bashkë po e përsosin dita ditës këtë prodhim të ri shqiptar.

Porositë dhe nevojat janë të shumta, por Albani vazhdon prodhimin dhe shpërndarjen falas të këtyre maskave, ndonëse kostot janë të konsiderueshme për një biznes të vogël si ky në kryeqytet.

Nisma e tij nuk është e vetmja. Në Tiranë dhe qytete të tjera janë disa biznese të vogla që janë përshtatur për të prodhuar maska për fytyrën, doreza dhe maska për gojën.

Numri I të prekurve nga COVID sa vjen e rritet dhe nevoja për to është përherë e më e madhe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG