Lidhje

Shqipëri, 3 viktima brenda ditës, 29 të prekurit me COVID 19


Në Shqipëri të shtunën në mbrëmje u shënua vdekja e tretë e një pacienti me koronavirus, brenda një dite, duke e çuar në 20 numrin e viktimave. Pak para mesnatës, një 80-vjeçare nga Shkodra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të këtij qyteti. Ajo ishte paraqitur mëngjesin e datës 4 Prill në spital. E dyshuar me COVID 19 ishte vendosur menjëherë në terapi intensive. Ndërsa në mbrëmje ka dalë përgjigjia e analizave, pozitive me COVID-19, e moshuara nuk është transportuar dot në Tiranë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Pak orë më pas ajo ka humbur jetën.

Po mbrëmjen e së shtunës, ministria e Shëndetësisë njoftoi se “në spitalin infektiv ka ndërruar jetë nga infarkti kardiak një paciente 84-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID19. Pacientja me inicialet S.D, e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese: artrit reumatoid, fibrillation arterial dhe hipertension. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë, pacientja nuk ia ka dalë të mbijetojë”. Më herët, në mëngjes, një pacient 67 vjecar nga Tirana ndërroi jetë, po në Spitalin Infektiv, ku prej një jave gjendej i intubuar dhe në hemodializë.

E shtuna shënoi numrin më të lartë të rasteve të konfirmuar brenda 24 orëve, me 29 qytetarë të prekur nga COVID-19. Në total, numri i të prekurve ka shkuar në 333 persona, ndërsa autoritetet kanë realizuar deri më tani, 2 mijë e 250 teste. Mosha mesatare e të infektuarve është 50 vjeç.

Të dhënat e fundit flasin për një kërcim të madh të shifrave në Shkodër, në 31 raste, nga të cilat 12 të konfirmuara të premten dhe 9 gjatë ditës së sotme. Tirana ka deri tani shifrat rekord prej 157 të infektuarish (13 vetëm në 24 orët e fundit, më pas është Durrësi me 33 qytetarë të sëmurë, e pasuar nga Shkodra dhe Fieri. 17 qytete janë të prekura nga COVD-19, kryesisht qytetet e ultësirës perëndimore bregdetare, e cila ka marrëdhënie të shpeshta me Italinë. Por nuk mungojnë as qytetet e skajshme si Hasi, Tropoja e Korça, të cilat kanë marrëdhënie përkatësisht me Kosovën dhe Greqinë.

Në të dy spitalet COVID, deri mesditën e së shtunës ishin shtruar 71 pacientë, pjesa më e madhe e tyre në gjendje të qëndrueshme.

Mes të shtruarve në spital, është dhe mjeku i njohur Roland Xhaxho. Ndërkohë një tjetër mjek me emër në vend, ish drejtuesi i Spitalit Infektiv, Dhimitër Kraja, i cii ju ribashkua vullnetarisht kolgëve të tij dhe u infektua, u deklarur sot i shëruar. Në total, numri i të prekurve që kanë rezultuar negativnë dy teste radhazi, ka shkuar në 99 raste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG