Italia raportoi të shtunën shifrën më të ulët ditore të vdekjeve si pasojë e COVID-19 pas rreth dy javësh dhe tha se numri i pacientëve në kujdes intensiv kishte rënë për herë të parë. Zyrtarët i kërkuan popullatës të mos shpërfillë masat e rrepta të izolimit, për të cilat ata thanë se kishin filluar të jepnin rezultate.
Autoritetet njoftuan të shtunën 681 vdekje, që e ka çuar totalin e përgjithshëm në mbi 15 mijë. Kjo konsiderohet si shifra më e ulët ditore e vdekjeve që nga 23 Marsi.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara u rrit në mbi 124 mijë.
Kreu i autoritetitit të Mbrojtjes Civile Angelo Borelli e konsideroi këtë zhvillim një lajm të rëndësishëm për vendin pasi siç tha ai, u jep mundësi spitaleve të marrin frymë. Zyrtarët italianë kanë thënë se rrritja e qëndrueshme në numrin e rasteve sugjeron se pandemia ka arritur në pikën më të lartë të saj dhe se shifrat me gjasë do të bien nëse respektohen masat e rrepta të izolimit.