Lidhje

Trump sulmon përpjekjet për votimin me postë


FILE - President Donald Trump points to a reporter for a question as he speaks in the James Brady Press Briefing Room of the White House, in Washington, March 31, 2020.

Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon një luftë të re politike kundër miratimit të së drejtës së votimit me postë në të gjithë SHBA, duke pretenduar se ky proces do të çonte në mashtrime të mundshme dhe prej tij mund të përfitonin dukshëm demokratët e opozitës.

Vetë Trumpi kohët e fundit kërkoi një fletëvotim në mungesë për të votuar në zgjedhjet paraprake presidenciale republikane në Florida, shteti bregdetar i Atlantikut që ai tani e quan si rezidencën e tij pasi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij si banor i Nju Jorkut.

Por ai tha në Twitter të mërkurën se, "Republikanët duhet të luftojnë shumë kur bëhet fjalë për votimet me postë në mbarë shtetet."

"Demokratët po ulërasin për të," tha ai. "Potencial i jashtëzakonshëm për mashtrim të votuesve dhe për çfarëdo lloj arsye, nuk funksionon mirë për republikanët."

Mes pasigurisë së përhapjes së koronavirusit në Sh.B.A dhe zgjedhjeve të shumta paraprake tashmë të shtyra, disa ligjvënës, kryesisht demokratë, kanë bërë presion për miratimin e më shumë votimeve me postë, në vend të votimit fizik të personave.

Në shtetin e Uiskonsënit të martën, mijëra njerëz u shfaqën të votojnë në zgjedhjet paraprake demokrate presidenciale, madje ndërsa radha për të votuar zgjati deri në dy orë e gjysmë. Votuesit shpesh mbanin maska për fytyrën dhe distancoheshin nga njëri tjetri në një largësi prej dy metra.

Republikanët në Uiskonsën dhe partia kombëtare republikane kundërshtuan një zgjatje të afateve të votimit në mungesë ndërsa u afrua votimi i së martës.

Ish nënpresidenti Joe Biden, kundërshtari i mundshëm i Partisë Demokrate ndaj Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, është në mesin e atyre që bëjnë thirrje për zgjerimin e votimit me postë.


Demokratët kanë shprehur prej kohësh mbështetje për zgjerimin e elektoratit përmes votimit me postë, me teorinë se po të kishin një mundësi më e lehtë për të votuar përveç se të paraqiteshin në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve, më shumë njerëz do të votonin.

Kjo ka gjithashtu të ngjarë të ndihmojë më shumë demokratë të fitojnë poste. Disa votime ndër vite kanë sugjeruar se votuesit republikanë janë më të përkushtuar se demokratët që të paraqiten në vendet e votimit dhe kështu si grup nuk i duhet domosdoshmërisht mundësia e shtuar e votimit me postë.

Presidenti Trump pretendon se nëse votimi me postë bëhet mënyra mbizotëruese për të votuar, "Nuk do të keni kurrë një republikan të zgjedhur përsëri në këtë vend".

Në fakt, votimi me postë tashmë luan një rol të rëndësishëm në disa zgjedhje të SH.B.A.-së, por jo në të gjithë vendin dhe jo vetëm në shtetet me prirje demokrate.

Instituti Kombëtar i Votimit në Shtëpi thotë se në pjesën perëndimore të vendit, 69 përqind e fletëvotimeve hidhen tashmë me postë, por kjo përbën vetëm 27 përqind në shkallë vendi.

Pjesa perëndimore e vendit përfshin shtetin thellësisht konservator të Jutas, i cili voton në pjesën dërrmuese për republikanët, dhe ka lëvizur pothuajse tërësisht në votimin me postë vitet e fundit. Sekretari i shtetit republikan në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit gjithashtu mbështet votimin me postë.

Demokratët dështuan në përpjekjet e tyre për të përfshirë në ndihmën financiare për shtetet që të miratojnë votimin me postë si pjesë e paketës së shpëtimit nga koronavirusi prej 2 trilion dollarësh.

Republikanët në Uashington mbeten vazhdimisht kundër një ideje të tillë, duke përmendur shqetësimet e sigurisë dhe duke kundërshtuar transformimin e ligjeve zgjedhore si pjesë e masës së ndihmës ndaj koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG