Lidhje

SHBA: Kongresi nuk arrin të miratojë paketën shtesë të ndihmës për koronavirusin


Senati amerikan nuk arriti të enjten të miratojë fonde shtesë për të ndihmuar punonjësit amerikanë në vështirësi që po përballen me ndikimin e koronavirusit. Votimi u bë më pak se dy javë pasi ligjvënësit amerikanë miratuan paketën më masive të ndihmës ekonomike në historinë e vendit.

Masa e propozuar nga senatorët republikanë do të siguronte 250 miliardë dollarë fonde për Programin për Mbrojtjen e Pagave (PPP), një program prej 350 miliardë dollarësh që është pjesë e legjislacionit për t’u mbrojtur nga pasojat e koronavirusit, të quajtur CARES.

Paketa prej 2.2 trilionë dollarësh e shpëtimit u hartua dhe miratua me shpejtësi nga Kongresi në fund të muajit të kaluar, ndërsa bizneset në gjithë vendin u përballën me pasojat ekonomike të koronavirusit.

Demokratët në Kongres, e bllokuan përpjekjen e fundit , duke argumentuar se kreu i republikanëve në senat Mitch McConnell nuk ishte konsultuar sa ç’duhej me ta lidhur me shtesën prej një çerek milionë dollarësh.

Republikanët nga ana e tyre, bllokuan përpjekjen e demokratëve për të rritur ndihmën për spitalet dhe qeveritë lokale që po përballen me pasojat e krizës.

Ligjvënësit do të kenë një mundësi tjetër të negociojnë për shtesën të hënën kur Senati të kthehet për një seancë të shkurtër. Deri atëherë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësueve, demokratja Nancy Pelosi tha se nuk ka plane të negociojë me republikanët dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin gjatë fundjavën e Pashkëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG