Lidhje

Covid-19, shqetësime mbi të ardhmen e demokracisë globale 


Në të gjithë botën, autoritetet po vendosin kufizime të paprecedenta mbi liritë e qytetarëve në përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Por, grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se disa qeveri janë duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme për të rrëmbyer pushtetin. Në një seri shumëpjesëshe, Zëri i Amerikës do të raportojë se si madje edhe në demokracitë e pjekura, ekziston frika se kriza shëndetësore po përdoret për të heshtur kritikët dhe për të shkelur të drejtat themelore demokratike në të gjithë botën.

Covid-19, shqetësime mbi të ardhmen e demokracisë globale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Kufizimet e jashtëzakonshme mbi liritë themelore në të shumtën e rasteve janë të domosdoshme për të luftuar virusin Covid-19, thotë Drejtori Ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth.

"Por për fat të keq, ne po shohim gjithashtu qeveri që në të vërtetë janë shumë më të përqëndruara në përdorimin e virusit si një pretekst për të goditur kritikët e tyre dhe për të konsoliduar pushtetin", thotë ai.

Në Kinë, vendi i origjinës së koronavirusit, mjekët në Wuhan u përpoqën të paralajmëronin botën për rreziqet nga sëmundja e re.

"Autoritetet kineze, në vend që t’i dëgjonin paralajmërimet e tyre, i shtypën ose i censuruan ata. Ata u ndëshkuan. Dhe kjo i dha virusit një start katastrofik tre-javor, periudhë gjatë të cilës ai u përhap në nivel global", thotë zoti Roth.

Në muajt pasues, kontrollet normale të pushtetit në shumë vende janë pezulluar, paralajmëron raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard.

"Gjykatat kanë shumë më pak fuqi sesa dikur. Parlamentet gjithashtu janë shumë më të dobëta nën gjendjen e jashtëzakonshme", thotë ajo.

Në Hungari, Kryeministri Viktor Orban nxiti miratimin e ligjeve të jashtëzakonshme në mars, pa ndonjë afat kohor.

"Kjo në thelb i lejon atij të sundojë me dekret, pa asnjë mbikëqyrje parlamentare; ai braktis zgjedhjet", thotë zoti Roth.

Shumë vende kanë ndaluar protestat në rrugë.

"Nëse mendoni për qeverinë algjeriane të udhëhequr nga ushtria, Presidentin Putin në Rusi, libanezët, qeveritë e Irakut, Kryeministrin Modi në Indi, të gjithë po përballeshin me sfida të mëdha pro-demokracisë dhe me protesta në rrugë. Për momentin, ato protesta duhet të ndalen. Të gjithë e kuptojnë këtë. Por, për sa kohë qeveritë do të mbajnë në fuqi ligjet që ndalojnë lirinë e tubimit, thjesht sepse ato u shkojnë për shtat?", thotë zoti Roth.

Policisë i janë dhënë kompetenca shtesë për të zbatuar masat kufizuese. Në Kenia, një 13-vjeçar u qëllua aksidentalisht. Në Cape Town, policia dëboi dhjetëra migrantë nga një kishë. Janë shfaqur pamje të policisë në Indi duke spërkatur punëtorët migrantë me dezinfektues.

"Në emër të shpëtimit të sa më shumë jetëve që të jetë e mundur, ne po rrezikojmë jetën e grupeve më të pambrojtura. Historia na tregon se këto janë momentet kur ka të ngjarë të abuzohet me forcën e policisë", thotë zonja Callamard.

Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara janë një shembull që mbështet këtë pikëpamje, thotë zoti Roth.

“Edhe ky ishte një moment në të cilin njerëzit kishin frikë. Ata u kërkuan qeverive t'i mbronin ata, dhe shumë qeveri, në vend që të bënin atë që ishte vërtet e nevojshme për t'i mbrojtur ata, kapën të gjitha llojet e pushteteve të jashtëzakonshme, nga të cilat iu desh një kohë e gjatë që të hiqnin dorë", thotë zoti Roth.

Tani për tani, kufizimet ndaj lirisë së lëvizjes po pranohen si armë e nevojshme në luftimin e Covid-19. Frika është se ato kufizime mund të tejkalojnë vetë sëmundjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG