Lidhje

Koronavirusi, raste të reja në Shkodër, ulet numri i të shtruarve


Në Shqipëri, ndërsa rastet e reja me koronavirus po rriten me ritme të moderuara, shqetësim mbetet Shkodra ku vijojnë të shfaqen vatra të reja. Nga 13 personat e konfirmuar me Covid 19 në 24 orët e fundit 5 janë rregjistruar në qytetin verior, ndërsa të tjerët në Tiranë dhe Durrës.

Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 446 raste. Kryeqytetit vijon të kryesojë me gati gjysmën e të prekurve, 215 raste, ndërsa Shkodra numëron tani 57 të infektuar. Shpërthimi i disa vatrave në këtë zonë, detyroi Qeverinë që të shkarkonte dje Prefektin e Shkodrës. Durrësi është zona e tretë për nga numri i personave me koronavirus, me 41 raste, i pasuar nga Fieri me 32. Në qytetet e tjera të vendit, përhapja e virusit ka mbetur e kufizuar.

Në ndërkohë, numri i personave të shtruar mbetet në tendencën rënëse të vënë re katër ditët e fundit. Në të dy spitalet që trajtojnë të prekurit me Covid 19, deri mesditën e të dielës, sipas të dhënave të përditësuara, gjenden 49 pacientë, numri më i ulët që nga 23 marsi. Prej tyre 7 janë në gjendje kritike, ndërsa në terapi intensive ndiqen dhe 5 të tjerë. “Në Shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar.6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar”, deklaroi Marjeta Dervishi e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Janë 157 të prekurit të cilët janë në izolim. Deri tani në vend janë shënuar 23 viktima

Në rritje të qëndrueshme është numri i të shëruarve. Me 20 pacientët e rinj që kanë dalë negativë në dy teste radhazi, totali shkon në 217, gati gjysma e të infektuarve.

Sot në të gjithë vendin aktivitetet tregtare janë të mbyllura, e po ashtu e ndaluar dhe lëvizja e qytetarëve. Ndërsa nga nesër, qeveria ka vendosur lehtësimin e kufizimeve, duke e shtrirë deri në orën 17.30 kohën e qarkullimit të mjeteve dhe personave të autorizuar, si dhe të shërbimit ushqimor, farmaceutik dhe bankar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG