Lidhje

Turqi, shtohen thirrjet për vetizolim


Në Turqi po shtohen thirrjet për vetizolim ndërsa vazhdon të përhapet infektimi me koronavirus, kryesisht në qytetin më të madh të atij shteti, Stamboll. Por qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan ka refuzuar thirrjet duke këmbëngulur se ekonomia duhet të vazhdojë punën. Korrespondeti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Është ora kur banorët e Stambollit shkojnë në punë, por dikush prej tyre mund të jetë i infektuar me koronavirus. Megjithatë Presidenti Erdogan këmbëngulë se ekonomia nuk mund të mbyllet, duke shkaktuar shqetësime edhe mes komunitetit të biznesit. Burak është pronar i një dyqani.

“Bizneset duhet të jenë të mbyllura. Por nëse janë të mbyllura, dyqanet si imi nuk do të jenë në gjendje të paguajnë qeratë, dhe shpenzimet për punonjësit. Nuk ka spjegime të qarta se kush mund të jetë zgjidhja. Mendoj se qeveria u zu në një situatë të vështirë financiare. Kjo është arsyeja që po e shtyjnë mbylljen sa më shumë që të munden, për të fituar kohë.”

Ndërsa po i reziston thirrjeve për mbyllje të plotë, qeveria e zotit Erdogan po zbaton kufizime lëvizje për moshat nën 20 vjeçare dhe të moshuarit mbi 65 vjeç.

Megjithatë, infektimi dhe vdekjet nga koronavirusi vazhdojnë të shtohen me Stambollin në epiqendër.

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit, autoritetet e qytetit të Stambollit kanë shpërndarë maska dhe kufizuar transportin publik.

Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu po bën thirrje për mbyllje të plotë të qytetit, duke thënë se ka shumë njerëz nëpër rrugë.

“Një vdekshmëri prej 15 përqindësh në Stamboll do të thotë 2 milion viktima, që është shumë e frikshme. Është po aq sa popullsia e një qyteti të madh në Evropë. Është e qartë se lëvizjet aktuale të popullsisë përbëjnë kërcënim, prandaj duhen masa më të rrepta.”

Ndërsa numri i të vdekurve mbetet në disa qindra, shpejtësia e infeksionit duket se po rritet sikurse ka ndodhur në shtete të tjera.

Analistët thonë se mbyllja e qytetit më të madh të Turqisë mund të kenë një kosto shumë të lartë. Atilla Yesilada është analist me grupin “Global Source Partners”.

“Po ndalon industrinë që ka afro katër deri pesë milion punonjës. Edhe nëse ligji nuk e parashikon, ana etike dhe qeverisja e mirë kërkon që këta njerëz të marrin një lloj kompensimi, që të ushqehen dhe të mos protestojnë në rrugë, dhe kështu problemet e buxhetit bëhen të paimagjinueshme.”

Ndërsa infeksioni përhapet po vihet në rrezik mundësia që Stambolli dhe Turqia të gjejnë ekuilibrin e duhur për të luftuar virusin.

XS
SM
MD
LG