Lidhje

Shtëpia e Bardhë krijon këshill për rihapjen e ekonomisë


Nju Jork, heshtje në zonën financiare

Një ekip specialistësh të shëndetit publik mblidhet çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të shpjeguar publikisht masat që janë marrë në përgjigje të koronavirusit. Pritet që së shpejti të njoftohet krijimi i një ekipi të ri që do të fillojë të mblidhet pas dyerve të mbyllura për të diskutuar mënyrat për rihapjen e ekonomisë amerikane.

Ky këshill që nuk do të përfshijë zyrtarë të shëndetësisë, ka të ngjarë të nxjerrë zbuluar tensionet ekzistuese mes zyrtarëve të ekonomisë dhe atyre të shëndetit publik lidhur me momentin e duhur për rihapjen e ekonomisë ndërkohë që specialistët paralajmërojnë se rihapja para kohe mund të acarojë epideminë.

Ndërkohë që mbylljet pritet të sjellin recesion para zgjedhjeve të nëntorit, presidenti mezi po pret të riaktivizojë ekonominë për të stabilizuar tregjet financiare dhe për të rikthyer në aktivitet 16 milionë amerikanë që kanë humbur punën nga epidemia. Presidenti fillimisht kishte thënë se shpresonte të rihapte ekonominë për Pashkë, por tani është shprehur se dëshiron rihapjen në fund të prillit.

Dr. Anthony Fauci
Dr. Anthony Fauci

Shumë ekspertë mjekësorë në qeveri, përfshirë Dr. Anthony Fauci dhe Dr. Deborah Birx, kanë paralajmëruar se heqja e distancimit social më herët se duhet mund të sjellë një dallgë të re infektimesh që mund të bëjnë të domosdoshme një mbyllje tjetër të ekonomisë, me rezultate shkatërrimtare.

Presidenti Trump tha lidhur me këshillin e ri se “do të ofrojë këshilla të mira, por gjithsesi do të përpiqemi të jemi shumë të kujdesshëm. Por gjithashtu, duam që të rihapim ekonominë”.

Disa ekspertë dhe pjesëmarrës në këshilla të tjerë të organizuar nga presidenti në të kaluarën, shprehën shqetësimin se Presidenti Trump mund të mos jetë i hapur ndaj pikëpamjeve të ndryshme dhe të vërtetave të vështira në këtë realitet.

"Nuk ka vlerë nëse fton një këshill që thjesht të ofron lëvdata,” thotë Thea Lee, presidente e Institutit për Politika Ekonomike me pikëpamje të kahut të majtë. Zonja Lee pat shërbyer në këshillin për prodhimin industrial që presidenti e themeloi në fillim të mandatit.

President Donald Trump dhe Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin
President Donald Trump dhe Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin

Në ekip pritet të marrin pjesë Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin, Sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross, Sekretari i Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Ben Carson dhe këshilltarët ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett dhe Larry Kudlow. Shefi i ri i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows pritet të kryesojë punën e këshillit.

Këshilltarët e presidentit, dhëndri Jared Kushner dhe vajza e tij Ivanka Trump pritej të angazhohen në punën e këshillit, por presidenti tha të hënën se nuk do të jenë pjesë e këtij grupi. Ky këshill do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga grupi i punës kundër koronavirusit, që drejtohet nga Nënpresidenti Mike Pence.

Disa udhëheqës biznesesh dhe ndoshta guvernatorë mund të përfshihen përkrah zyrtarëve të administratës, të cilët kanë filluar ndërkohë takime jozyrtare dhe konsultime me presidentin.

Pritet që këshilli i ri do të operojë si kundërpeshë e grupit të ekspertëve të shëndetit publik, të cilët po i bëjnë thirrje presidentit për hapje të ngadaltë të ekonomisë. Presidenti tha të hënën se këshilli i ri do të konsultohej me industri të ndryshme dhe do të përfshinte komisione që përfaqësojnë aktivitete të ndryshme si prodhimin industrial, transportin dhe grupime fetare.

Arthur Laffer, një ekonomist që presidenti e ka lavdëruar në të kaluarën, pohoi se ekonomia është dëmtuar rëndë, por shtoi se është vështirë të thuhet kur do të vijë momenti për rihapje:

"Përpjekjet për ta rihapur para kohe janë plotësisht pa vlerë,” tha zoti Laffer.

Deri tani këshilli i ri përfshin këshilltarët dhe zyrtarët më të lartë të administratës Trump: të bardhë dhe të pasur. Sekretari i Strehimit, Ben Carson është afrikano-amerikani më i njohur i administratës.

Këshilli duhet të analizojë një gamë të gjerë nevojash: nevojat e punonjësve të sektorit ushqimor, shëndetësisë, transportit, ndërtimit dhe sektorë të tjerë me një forcë të larmishme punëtore, në pjesën më të madhe me paga minimale. Ka gjasa që kjo do të jetë armata e parë që rifillon punën.

"Nevojiten opinione të ndryshme, përvoja të ndryshme,” thotë Jay Shambaugh, ekonomist në Universitetin George Washington dhe analist në Institutin Brookings. “Në këtë rast kërkohen edhe opinionet nga grupe me interesa të ndryshme”.

Danielle Brian, drejtore ekzekutive e grupit Projekt për Mbikqyrjen e Qeverisë, thotë se shqetësohet se Presidenti Trump mund të mos jetë krejt i hapur ndaj opinoneve të kundërta. Ajo sjell si shembull shkarkimin kohët e fundit të zyrtarëve të kontrollit të shtetit, të cilët kishin kritikuar veprime të qeverisë.

"E kemi parë fare qartë se si kur bëhet fjalë për tema të rëndësishme të kontrollit të shtetit, zyrtarët pushohen, flaken nëse thonë diçka që nuk i pëlqen presidentit,” thotë zonja Brian.

Donald Sherman, zëvendës drejtor i grupit Qytetarët për Qeveri të Përgjegjshme dhe Etike thotë se veprimet e presidentit tregojnë se ai “zgjedh servilë për të drejtuar institucione të rëndësishme të qeverisë” prandaj zoti Sherman nuk beson se këshilli i ri do të jetë më me vlerë se një vulë boshe.

Shtëpia e Bardhë tha se procesi vendim-marrës i presidentit do të jetë i matur dhe do të inkorporojë opinionet e zyrtarëve të shëndetit publik.

"Presidenti do rihapjen e ekonomisë, që njerëzit të kthehen në punë por momenti i rihapjes do të bazohet tek shkenca. Në këto vendime prioriteti kryesor do të jetë siguria dhe mirëqënia e amerikanëve,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere.

Gjatë vitit të parë në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump organizoi grupe me figura të njohura ekonomike, përfshirë shefin e kompanisë Intel, Brian Krzanich, shefin e kompanisë Tesla, Elon Musk dhe kreun e sindikatës AFL-CIO, Richard Trumka. Këto grupe u shpërbënë, ngaqë drejtuesit e lartë dhanë dorëheqjen pas reagimeve të presidentit ndaj protestave në Sharlotsville të Virxhinias dhe vendimit të tij për të braktisur Akordin e Parisit për klimën.

Scott Paul, president i Aleancës së Prodhuesve Industrialë Amerikanë, ishte pjesë e këshillit të prodhimit industrial, që më pas u shpërbë. Ai thotë se administrata i shfrytëzon këto këshilla për të treguar një grup drejtuesish të sektorit privat duke diskutuar me presidentin.

Kishte "plot njerëz të interesuar seriozisht në atë këshill, por nuk pashë ndonjë punë serioze,” thotë zoti Paul.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG