Në Berlin, një këshill vendor po krijon një 'infrastrukturë
biçikletash rezistente ndaj pandemive'. Kjo në praktikë është thjesht një
zgjerim i infrastrukturës aktuale të biçikletave, për të lejuar çiklistët të
mbajnë një distancë prej 1.5 metrash nga njëri-tjetri.
Kjo korsi biçikletash u ndërtua më 27 Mars me nismën e
këshillit të Friedrichshain-Kreuzbergut në
përgjigje të direkte ndaj krizës së koronavirusit.
Këshilli vendor, pas analizimit të infrastrukturës aktuale të biçikletave,
erdhi në përfundimin se është e vështirë të mbahet një distancë prej 1,5
metrash mes çiklistëve, siç e kërkojnë rregullat e distancimit shoqëror në
Gjermani.
"Ne nuk kemi shumë korsi biçikletash në rrugët kryesore. Dhe kjo do të
thotë që çiklistët nuk mund t’i shfrytëzojnë ato duke respektuar rregullat
e distancimit prej 1,5 metrash," thotë Felix Weisbrich (Vajsbrih), kreu i
departamentit të rrugëve dhe parqeve në rrethin e Friedrichshain -
Kreuzbergut në Berlin.
Në fazën pilot të projektit, një korsi biçikletash është zgjeruar, dhe është
ndërtuar një rrugë e re.
Të dyja rrugët po përdorin hapësirën që më parë përdorej nga trafiku i
rregullt i makinave.
"Kjo është bërë për të krijuar një trafik të sigurt ndaj virusit për njerëzit
që duan të lëvizin me biçikleta. Ne e quajmë atë një "infrastrukturë
biçikletash rezistente ndaj pandemive"". Pra kjo po bëhet për të
minimizuar rrezikun e infeksioneve", thotë zoti Weisbrich.
Këshilli lokal po planifikon shtrirjen e projektit në rrugë të tjera, pasi ai
vlerëson se rrugët aktuale të biçikletave në shumë pjesë të Berlinit janë
të ngushta.
Masa është e përkohshme por ajo do të rishqyrtohet pas krizës së
koronavirusit.
"Ne kemi një ligj të ri të qarkullimit në Berlin që kërkon krijimin e
korsive më të sigurta dhe më të gjëra të biçikletave. Pas krizës së
koronavirusit politikanët do të duhet të diskutojnë dhe vendosin se cilat
nga këto korsi do të qëndrojnë", thotë zoti Weisbrich.
Në një pjesë tjetër të Kreuzbergut, një kompani private ka hapur një
stacion të përkohshëm vetë-shërbimi të riparimit të biçikletave. Stacioni
ishte në plan të hapej gjatë verës, por për shkak të pandemisë së
koronavirusit kompania Signa vendosi ta hapte më herët.
Çiklistët mund t’i riparojnë biçikletat e tyre falas, duke mbajtur
distancën prej 1,5 metrash nga njëri-tjetri.
"Kjo është e rëndësishme sepse njerëzit duhet të jenë në gjendje të
lëvizin. Infermierët, mjekët, por edhe të gjithë të tjerët me punë të
domosdoshme mund të udhëtojnë me biçikleta për të shmangur kontaktet
me njerëzit e tjerë në sistemet e transportit publik", thotë Thibault
Chavanat (Tibò Shavanà), drejtues i projektit Karlstadt Hermannplatz.