Lidhje

Ina Mexhitaj: Projekti HEDA ofron fakte shkencore përballë konfuzionit për COVID-19 


Projekti HEDA ofron fakte shkencore përballë konfuzionit për COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:38 0:00

Për publikun shqiptar që kërkon informacion shkencor mbi COVID-19, apo këshilla të thjeshta për t’u mbrojtur nga virusi, platforma dixhitale HEDA.al ofron përgjigje të mbështetura nga shkenca. Platforma është projekt i një grupi shkencëtarësh dhe mjekësh që banojnë e punojnë në skaje të ndryshme të globit, por duan t’i gjenden pranë publikut shqiptar me fakte të mirëfillta, që luftojnë konfuzionin dhe frikën. Gazetarja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari bisedoi me një prej kontribuesve në këtë projekt, Ina Mexhitaj, studiuese shkencore në Universitetin e Pensilvanisë.

Zëri i Amerikës: Si ju lindi ideja për të krijuar platformën informative HEDA.al?

Ina Mexhitaj: Ka qenë iniciativë e filluar nga Dr. Irma Kuka. Eshtë lançuar që para një viti dhe ka pasur si synim të informojë shqip-folësit për zhvillimet në fushën e shëndetësisë nëpërmejt artikujve mbi shëndetin apo sëmundjeve të ndryshme me synimin që të ketë siguri informacioni, që të ketë citime për burimin e informacionit dhe ç’është më e rëndësishme, të gjithë artikujt që vijnë në këtë platformë janë të punuar nga mjekë apo profesionistë të shëndetësisë.

Zëri i Amerikës: Cfarë vutë re kur u angazhuat në këtë projekt? Cfarë keqinterpretimesh ekzistonin për COVID-19? Ku është përqëndruar fokusi juaj në informimin e popullatës?

Ina Mexhitaj: Shumica e publikut thonë se janë të çorientuar nga informacionet që po marrin nga mediat, nga gazetat, revistat online. Kjo i ka bërë që të mos dinë të filtrojnë informacionet e vlefshme. Ne si platformë kemi vendosur që jo vetëm të sjellim informacione të vlefshme për situatën e COVID-19 por që në zanafillë, platforma HEDA ka filluar që të japë informacione në dy mënyra: e para, duke u fokusuar tek artikujt për publikun e gjerë dhe e dyta, të fokusuar tek profesionistët, duke analizuar, sintetizuar dhe përshtatur artikujt më të rinj që vijnë për COVID-19 nga revistat më të njohura shkencore në botë dhe për t’i bërë ato më të kuptueshme jo vetëm për publikun, por edhe për profesionistët.

Zëri i Amerikës: Sa me rëndësi është informimi i saktë i popullatës, sidomos në një krizë të shëndetit publik si kjo që po evolon në çdo secondë, dhe që na ka gjetur të gjithëve, po ashtu edhe shkencën, infrastructurën dhe institucionet shëndetësore, krejt të papërgatitur:

Ina Maxhitaj: Publiku shqiptar ka pasur probleme dhe çorientime që në fillimet e kësaj pandemie, me një frikë të madhe, sepse nuk e dimë nga vjen virusi dhe çfarë bën në të vërtetë. Ka qenë shumë e rëndësishme që kanë marrë informacione nga HEDA, jo vetëm për të mësuar çfarë të bëjnë në përditshmërinë e tyre, por edhe si të mbrohen, gjithashtu edhe rëndësinë që ka fakti si ta pranojnë këtë situatë ku ndodhemi tani.

Zëri i Amerikës: Cfarë ju kanë shkruar përdoruesit e platformës? Si janë informuar, si kanë arritur të mbrohen duke lexuar informacionin tuaj?

Ina Mexhitaj: Do të veçoja disa: ‘Në ditët e para isha në panik. Fillova të ha sasi të mëdha hudhrash, të bëja gargare me raki, të pija vitamina e marrëzi të tjera që lexoja në internet. Tani kam vendosur t’i referohem vetëm HEDA-s… Postimet e HEDA-s, janë shumë të qarta e ndihmuese për mua’.

Zëri i Amerikës: Sa shpesh e freskoni faqen për të përditësuar informacionin?

Ina Mexhitaj: Ne si ekip çdo ditë marrim artikuj të rinj që dalin nga revistat më të njohura shkencore botërore. Ne mundohemi që brenda pak ditësh që kur dalin artikujt, jo vetëm t’i sintentizojmë, t’i analizojmë, por edhe t’i përshtasim për publikun shqiptar.

Zëri i Amerikës: Ju nuk sponsorizoheni për këtë projekt. Cfarë ju shtyu që në këtë situatë të ngarkuar të ndërmerrni këtë iniciativë?

Ina Mexhitaj: I gjithë ekipi ynë, megjithëse nuk jemi atje, kemi rrënjët në Shqipëri, kemi të afërmit tanë, kemi shoqërinë dhe mendojmë për Shqipërinë gjatë gjithë kohës. Kishim një dëshirë shumë të madhe që me mundësitë që kemi të japim maksimumin tonë për të dhënë informacione sa më të sigurta që mjekët, por edhe publiku të jenë të mirë-informuar dhe të kujdesen për njeri-tjetrin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG