Lidhje

Avdullah Hoti, kandidat i Lidhjes Demokratike për kryeministër të Kosovës


Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi sot Avdullah Hotin mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pak kohë pasi mori kërkesën nga presidenti Hashim Thaçi për emrin e mandatarit të mundshëm.

Të mërkurën presidenti tha pas një takimi këshillues me partitë politike se do t’i jap mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament, me gjithë kundërshtimin e lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilëson këtë shkelje kushtetuese.

Kriza politike në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:27 0:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se për mandatarin do të votohet edhe në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, ndërsa shfaqi shpresën se që deri në fund të javës do të mund të formohet qeveria e re e Kosovës.

“Unë personalisht mendoj dhe i kryesisë se zoti Hoti mund ta bëj me përgjegjësinë më të madhe këtë punë, mund ta çoj një qeveri stabile përpara, mund të krijojë komunikim me të gjitha subjektet parlamentare në Kuvendin tonë dhe po ashtu mund të krijojë komunikim normal dhe pozitiv me partnerët tanë evropianë dhe partnerët tanë amerikanë, sepse duhet ta kemi përkrahjen e partnerëve tanë edhe tash në procesin e luftës kundër COVID-19 por edhe në procesin e dialogut”, tha zoti Mustafa.

Lidhja Demokratike tashmë ka arritur marrëveshje në parim me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe partitë e pakicave kombëtare të përfaqësuara në parlament për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon ndërkaq që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti tha të mërkurën se veprimet e presidentit rrezikojnë rendin kushtetues.

Presidenti Thaçi takoi të enjten diplomatët e pesë vendeve më të rëndëishme perëndimore të cilët i njoftoi, siç thuhet në një komunikatë, “se shumica absolute e partive politike janë në favor të formimit të qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re”.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Por, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha sot se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese pasi të ketë parë dokumentet në bazë të të cilave po veprojnë presidenti dhe partitë tjera politike që po synojnë qeveri siç tha ai, pa fituesin e kundër fituesit.

Pra ndryshuan rregullat e lojës me aktgjykim të gjykatës Kushtetuese në sistemin institucional dhe ne i pranuam ato dhe tash po thonë le të kthehemi atje në vitin 2014 që është padrejtësi e dyfishtë. Pra edhe në vitin 2014 na bëhej e padrejtë po na bëhet edhe sot e padrejtë sepse po synohet një qeveri jo vetëm pa fituesin por edhe kundër fituesit dhe një qeveri e cila për here të parë në Kosovën e pavarur nuk varej as nga Lista serbe e as nga PAN-i (akronimi i partive që përbënin qeverinë e Ramush Haradinajt) dhe me tejkalimin e kompetencave të presidentit i cili po dëshiron të formoj vullnet politik që nuk është në mandatin e tij edhe me varësi prej listës serbe edhe prej PAN-it. Pra nga pavarësia qeveritare edhe nga lista serbe edhe prej PAN-it po synohet të kalohet në një varësi të dyfishtë”, tha zoti Kurti.

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes Skype-it se presidenti Thaçi me veprimet e tij po luan rolin e formësuesit dhe bashkërenduesit të vullnetit politik gjë që nuk i takon.

Kjo (që tha) dje se kush i sjellë numrat (për shumciën), kjo është logjikë e papranueshme në rend të parë sepse bie ndesh me rolin e deputetit sepse pak prej tyre që ishin dje aty nuk janë fare deputet dhe kjo mënyre publike e demonstrimit të një formimi politik tregon se është presion ndaj Kuvendit dhe kjo mënyrë është e papranueshme. E dyta është se ajo çfarë shihet qartë është që presidenti i Republikës po e merr sikurse me qenë ky raundi i dytë, në fakt në çdo rast kur bie qeveria ose vdes kryeministri, atëherë procedura është (sipas nenit 95.5 të Kushtetutës), e njëjta fillon me të parin, të dytin ose dështon shkon në zgjedhje, që do të thotë prapë i pari me procedurat e para, është e njëjtë dhe nuk ka asnjë diskrecion dhe duhet të pres”, tha ai.

Zoti Hasani thotë se të gjitha palët duhet të angazhohen që të ruhen parametrat kushtetues.

Në bazë të asaj që është e drejtë kushtetuese sot që ka të bëj me formimin e organeve qendrore që është sot është ashtu siç po e them unë. Do të thotë ka shkelje të procedurave sepse po anashkalohet i pari dhe presidenti po ndërhynë në vullnet politik. Ne e kemi thënë në paragrafin diku 85 të aktgjykimit (të vitit 2014) se kush i ka dhe nuk i ka votat vërtetohet në Kuvend, ne e kemi thënë shprehimisht në aktgjykimin e 2014. Kjo është e sigurt kështu sot për sot mbi bazën e kësaj kushtetute që vlen. Unë jam i bindur që nëse lëvizja Vetëvendosje insiston siç po thonë në një teori dhe nuk e di ku e kanë gjetur, se neni 82.2 që mund të shkohet çdo herë kur ka vakancë, mosbesim të qeverisë, tërheqje apo çfarëdo qoftë që mund të shkohet në automatizëm në zgjedhje, është gabim sepse asnjëherë nuk ka ndodhur ashtu sepse çdo herë zgjedhjet janë mbajtur me konsensus, është shpërbërë parlamenti me konsensus dhe përndryshe nuk mund të mbahen zgjedhjet nacionale pa pasur konsensus që do të thotë kjo do të ndryshonte sistemin qeverisës në Kosovë sikurse të varej parlamenti nga fati i ekzekutivit. Kjo nuk shkon dhe është i njëjti ekstrem që po e bën presidenti i Republikës sa i përket emërimit, do të thotë është ekstremi tjetër, sepse po mendon se 95.5 nënkupton që të parit dërgoja vetëm një letër formalisht, po e paragjykon do të thotë është një tallje dhe vazhdo procedurat tjera. Edhe ajo është ekstrem dhe nuk shkon ashtu”, thotë ai.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG