Lidhje

Koronavirusi, vdes në spital 71 vjeçari nga Shkodra


Në Shqipëri, mbrëmjen e së mërkurës, një nga pacientët e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID 19-ës ka humbur jetën. “Pacienti 71-vjeçar, nga Shkodra, ishte në gjendje të rëndë prej 1 muaji, me insuficiencë respiratore akute. Ai ishte me pneumoni bilaterale, e vuante dhe nga sëmundje bashkëshoqëruese diabet, insuficiencë kardiake, hipertension e anemi kronike. Megjithë asistencën e specializuar mjekësore në reanimacionin e spitalit, nuk arriti të mbijetojë”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Deri më tani, ka shkuar në 31 numri i viktimave me koronavirus.

Për të tretën ditë radhazi, rastet e reja të bëra publike të mërkurën, mbetën në nivele relativisht të ulta, pas një rritje të ndjeshme javën e shkuar. Të dhënat e ministrisë së shëndetësisë flasin për 16 të prekur, nga të cilët 9 vetëm në kryeqytet ku deri më tani janë 318 personat e infektuar që kur u rregjistrua rasti i parë.

Pesë raste të tjera i përkasin Krujës, vatra e cila shpërtheu javën që shkoi, duke bërë që deri më tani të numërohen 102 të prekur. Një tjetër rast është në Berat dhe 1 në Shkodër, zona e dytë për nga numri i të infektuarve, 108 deri sot në mesditë. Në total numri i personave pozitiv ndaj COVDI 19-ës ka shkuar në 766 raste.

Në nivele të qëndrueshme vijon të mbetet situata në të dy spitale që trajtojnë të sëmurët me koronavirus. Në total deri mesditën e së mërkurës, ishin 33 të shtruar, nga të cilët 2 në gjendje të rënduar dhe 10 të tjerë që po ashtu në terapi intensive. “Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 27 të shtruar, 6 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar, 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar”, bëri të ditur Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik. Mes të shtruarve në spitalin Infektiv janë dhe 3 ushtarë shqiptarë të infektuar në Kosovë ku ata shërbejnë si pjesë e trupave shiptare në misionin e KFOR-it.

Të dhënat e së mërkurës, tregojnë se numri i personave të shëruar, ka qenë më i lartë se ai i rasteve të reja. Në total deri tani janë 455 qytetarë që kanë rezultuar negativë në dy teste radhazi, një shifër ndjeshëm më e lartë se ajo e të infektuarve aktivë, 281.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG