Lidhje

Dr. Rifat Latifi tregon përballjen personale dhe profesionale me COVID-19


Intervistë me doktor Rifat Latifin, kirurg në Nju Jork
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:08 0:00

Dr. Rifat Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester një nga pikat e hershme të nxehta të koronavirusit në Nju Jork. Para disa javësh, Dr. Latifi u bë një nga mjekët që u prek nga COVID-19, ashtu si edhe bashkëshortja dhe vajza e tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, dr. Latifi tregon se si e përjetoi sëmundjen dhe sfidat që pandemia paraqet për gjithë botën. Dr. Latifi, krijues i programeve të telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, foli me kolegen Keida Kostreci përmes Zoom edhe mbi mundësitë që kjo formë mjekësie paraqet në realitetin e ri të krijuar.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, fillimisht desha t’ju pyes se si jeni me shëndet, sepse juve, bashkëshortja dhe vajza kishin koronavirusin, kështuqë desha të dija se si jeni të tre?

Dr. Rifat Latifi: Ju faleminderit për këtë pyetje, është kujdes shumë i madh nga ana juaj. Ne jemi jashtëzakonisht mirë. Tani kemi kaluar fazën akute, unë jam në punë prej dy javësh. Dy javë kam punuar prej shtëpisë. Tash të gjithë jemi shëndoshë e mirë. S’kemi asnjë problem.

Zëri i Amerikës: Ma shpjegoni pak për publikun se si e përjetuat sëmundjen, cilat ishin ndjesitë, shenjat?

Dr. Rifat Latifi: Ky infeksion, kjo sëmundje, dy pacientë nuk i kanë shenjat e njëjta. Mund të kenë shenja të ndryshme prej atyre që janë shumë të rënda, ka nga ata që kanë insufiçencë të mushkërive dhe duhet të ndihmohen me respirator, deri tek ata që nuk kanë fare shenja. Unë kam qenë diku në mes. Ne kemi qenë me një kollitje të thatë, një kollitje

të mbrapshtë. Kam pasur kokëdhimbje, unë kurrë nuk kam kokëdhimbje, vetëm në anën e djathtë, rreth syrit, mbrapa syrit. Temperaturë nuk kam pasur kurrë, nuk kam pasur humbje të shijes, por nuk e ndjeja veten mirë 100 %, ndonëse edhe gjatë atyre ditëve këtu në oborrin tonë, ne dilnim për të bërë ushtrime, mundoheshim të jetonim sa më normalisht. Pas katër-pesë ditësh që simptomat nuk kalonin, u testova bashkë me shoqen dhe të dy rezultuam pozitivë. Vajza nuk u testua, por edhe ajo e ka pasur, 100 për qind e ka pasur, të paktën për nja dy ditë.

Zëri i Amerikës: Kjo që thoni ju tregon se jo të gjithë njerëzit e përjetojnë njëlloj këtë sëmundje pra...

Dr. Rifat Latifi: Absolutisht, ka pasur edhe dy elementë të tjerë që nuk i thashë. Kam pasur problem të flija për dy netë dhe një natë nuk mundesha të mbyllja sytë, sepse sa mbyllja sytë, mendoja se do më ndalej fryma, se do të harroja të merrja frymë. Dhe një natë tjetër kam pasur haluçinacione aq të tmerrshme, ëndrra aq të tmerrshme, që nuk më lanë as të flija. Kështuqë është shumë e qartë se ky virus po ndikon edhe

në sistemin nervor qendror, edhe në sistemin kardiak, edhe në mëlçi, edhe në veshka, edhe në organe të tjera.

Zëri i Amerikës: Ju mendoni se kjo është pasojë e shqetësimeve që kishit jo, ose që kanë njerëzit në përgjithësi, apo është një simptomë mjekësore apo një kombinim i të dyjave

Dr. Rifat Latifi: Mund të jetë një kombimin i të dyjave, unë absolutisht nuk kam pasur shqetësim nëse diçka e tmerrshme do të ngjajë me këtë, pasi unë jam në gjendje shumë të mirë fizike, siç është edhe shoqja dhe vajza ime, por unë kam përshtypjen se virusi po ndikon në sistemin nervor, qendror, edhe në sistemin epitelial të gjakut, siç është në zemër dhe në inde të tjera.

Zëri i Amerikës: Spitali ku jeni ju ishte në një nga pikat më të nxehta ku pati një numër të madh rastesh me COVID-19. Çfarë do të thotë kjo për mjekët e qendrës suaj, përfshirë juve. Si e përballoni ju këtë situatë?

Dr. Rifat Latifi: Unë po shkruaj një artikull për COVID-19 dhe në parathënie shkruaj se jemi bërë të gjithë “ekspertë” të COVID-19, sëmundje që para katër muajve nuk e dinim që ekzistonte, por me të

vërtetë është dashur të mësojmë një sëmundje të re, mekanizma të rinj dhe të adaptohemi për ta përballuar këtë sëmundje. Spitali ynë Westchester Health Center që është në Westechester, në pikun e tij, ka pasur 90 pacientë në respiratorë, pra gati çdo ditë kemi pasur 200-220 pacientë. Shumica e tyre kanë dalë nga spitali, por ka një numër ende të shtruar. Nuk është gjithmonë njeriu plak që vdes nga kjo sëmundje. Vdesin të rinj, vdesin edhe ata që nuk kanë pasur sëmundje përpara

Zëri i Amerikës: Po ta shihnim në shkallë globale si do ta përshkruanit krizën e koronavirusit?

Dr. Rifat Latifi: Ashtu siç e ka përshktuar organizata botërore e shëndetësisë: pandemi. Kjo është një katastrofë e madhe, është një gjendje e tmerrshme për njerëzimin. Por të mos harrojmë se në vitin 1918, 500 milionë e popullsisë së botës është infektuar nga gripi spanjoll, prej të cilëve 50 milionë kanë vdekur. Unë nuk besoj se do të shkojmë në atë gjendje, sepse kemi mundësi të tjera t’i mbajmë gjallë njerëzit, por megjithatë kjo është mjaft e rëndë.

Zëri i Amerikës: Cili është rreziku më i madh në fazën ku jemi për momentin?

Dr. Rifat Latifi: Rreziku i momentit është që ne të relaksohemi shumë shpejt, sepse tani meqë nuk po e shohim virusin para nesh, të hapemi shumë shpejt, të hapim shtetet, të hapim ekonominë dhe të kthehemi, siç ishim para 4-5 muajve. Ky ka për të qenë rreziku më i madh pasi është shumë e mundshme që të kemi edhe riinfektime, shkencëtarët janë të ndarë. Duhet t’u them shikuesve tuaj se unë nuk jam infektolog, jam kirurg. Fakti që ke antitrupa nuk do thotë që nuk e ke në qarkullim. Domethënë ne seriozisht duhet të kemi shumë kujdes që të përhapet sa më ngadalë dhe të mos t’i heqim maskat nga fytyra dhe dorezat.

Zëri i Amerikës: Ju po thoni se duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos nxitojmë në rihapjen e shteteve. Si ekspert i mjekësisë, çfarë do t’u thonit atyre që thonë se në këtë vend kaq të madh si Shtetet e Bashkuara, jo të gjitha shtetet janë njëlloj. Nju Jorku vazhdon të jetë epiqendër, por për shembull një shtet si Arizona ku ju keni qenë më parë, mund të mos ketë aq shumë raste?

Dr. Rifat Latifi: Këto janë argumenta me rëndësi dhe vlerë të madhe. Unë megjithatë prapë e them se edhe në Arizona, edhe ne Georgia, edhe në Karolina, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ketë hapje

masive, të mos shkojnë në stadium ose në bar, të mos rrinë shumë afër njëri-tjetrit. Nëse hapen shtetet, si po thuhet fazë e re, atëherë ne duhet prapë të jemi të kujdesshëm, mos ta riinfektojmë, ose infektojmë njëri-tjetrin. Ndonëse jeta duhet të vazhdojë, ne duhet të kemi shumë kujdes që të mos hapemi shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, ju jeni kreu i kirurgjisë në spitalin tuaj. Si ka ndikuar tek puna juaj koronavirusi?

Dr. Rifat Latifi: Puna veçanërisht e kirurgëve dhe kirurgjisë është prekur më së shumti prej të gjitha degëve të tjera të mjekësisë, për shkak se ne kemi rastet akute dhe tani në spitalin tonë bëhen vetëm rastet urgjente, por rastet elektive nuk po bëhen ende. Është edhe një viktimë tjetër që nuk po flitet shumë për të, ndonëse në qarqet shkencore po flitet mjaft: Janë ato që nuk janë prekur me domosdoshmëri nga virusi, janë sëmundjet e zemrës, të mushkërive, të mjekësisë së përgjithshme, ata që janë me tumor, që kanë nevojë për transplantim të organeve. Plot njerëz po vdesin në shtëpi. Njerëzit kanë frikë të shkojnë spital. Pra është problemi i Covid-it, por problemi edhe më i madh është se ne nuk po

bëjmë kirurgji normale. Unë besoj se kur të hapemi tani, rastet tona kanë për të qenë shumë më të larta se vitin e kaluar.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, ju jeni krijuesi i programeve të telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë. Në kushtet e sotme, telemjekësia po del si një nga mënyrat kryesore të trajtimit të pacientëve. Si ju bën kjo të ndjeheni?

Dr. Rifat Latifi: Nëse do ta mbaj mend Covid-in për diçka të mirë, kjo do të jetë sepse ka popullarizuar telemjekësinë jashtëzakonisht shumë në gjithë botën. Tashmë nuk është vetëm një luks i madh i dalë prej disa entuziastëve, sikurse unë dhe ekipi im i mjekëve në gjithë botën, por është bërë pjesë e realitetit. Çdo spital, gjithkund në botë po e përdor. Sidomos në Shtetet e Bashkuara. Ne duhet ta përdorim telemjekësinë për dy arsye: I ndihmojmë të sëmurët, pacientët, qytetarët tanë në shtëpitë e tyre derisa të kujdeset mjeku për ta. E dyta: I mbrojmë mjekët, i mbrojmë infermierët, i mbrojmë punonjësit e tjerë shëndetësorë në spital që të mos ekspozohen ndaj atyre që janë simptomatikë, por edhe atyre që janë asimptomatikë, sepse ka pasur raste nëpër botë, që punëtorë shëndetësorë, mjekët, përfshirë që shok timin shumë të ngushtë, që unë

kam kryer specializimin me të, që ka vdekur nga koronavirusi. Dhe së fundmi telemjekësia që ne e kemi bërë për 20 vjet në Kosovë dhe 10 vjet në Shqipëri, po aplikohet dhe do të aplikohet rreth e rreth botës. Kjo më bën të lumtur. Nëse ka një gjë pozitive është kjo. Dhe i ka ndërgjegjësuar edhe politikëbërësit se është shumë më e lehtë dhe shumë më lirë, shumë më mirë për pacientin që të shihet në distancë, sesa të vijë dhe të infektojë edhe 4-5 veta të tjerë, kur sillet pacienti në spital.

Zëri i Amerikës: A do të ishit të gatshëm të ofroni shërbimet që i keni ofruar përmes telemjekësisë, edhe tani në këtë kohë të vështirë?

Dr. Rifat Latifi: Absolutisht! Programi i telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, është i pavarur prej gjithkujt tjetër. Në qendrën e telemjekësisë në Tiranë dhe Prishtinë, të gjitha instrumentet, të gjitha elementet që duhet me i pasë në vende të ndryshme. Nuk ka asnjë arsye që dikush të vijë prej Korçe në Tiranë, që të vërtetojë a e ka Covid-in apo jo. Këto mundet të bëhen të gjitha nga distanca. Prandaj me kënaqësi të posaçme

unë i kisha ndihmuar, por tani është në Ministri të Shëndetësisë për të dyja shtetet.

Zëri i Amerikës: OBSH-ja thotë se koronavirusi mund të rigjallërohet në vjeshtë. Si e shihni në vazhdim ecurinë e kësaj krize globale?

Dr. Rifat Latifi: Unë kam të njëjtin mendim, sikurse autoritetet mjekësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OBSH-së, se ne mund të përjetojmë edhe një valë të re dhe ndoshta edhe vitin e ardhshëm, edhe më tutje dhe ne duhet të mbrohemi, ta ndërtojmë infrastrukturën, një infrastrukturë të mençur, funksionale. Po që bota jonë ka ndryshuar 100 për qind, nuk ka asnjë dilemë. Prandaj ne do ta krijojmë një normalitet të ri. Nuk e di se çfarë normaliteti do të jetë: a do te jem me maskë gjithë kohën kur e bëj vizitën me pacientët. Unë natyrisht kam dy maska kur bëj operacion. Por a do të jetë ky një normalitet i ri? Këtë nuk e di, sepse nuk dimë gjithçka për këtë sëmundje. Ndoshta shkenca virale në muajt e ardhshëm, sa më s

ë, mund të përgjigjet me vaksinë, por megjithatë besoj se do të kemi një rrugë të gjatë përpara.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit: A ka arsye për optimizëm dhe ku qëndrojnë këto arsye për optimizëm?

Dr. Rifat Latifi: Unë gjithmonë e kam parë gotën gjysmë të mbushur. Unë besoj se do t’ia dalim për shkak se shkenca, niveli shkencor kurrë nuk ka qenë më i lartë në jetë. Tani ne na duhet bashkëpunim i teknologjisë me shkencën dhe unë besoj se shumë shpejt do t’ia dalim. Por kjo shumë shpejt në terma shkencore mund të zgjasë vite, nuk mund të jetë javën e ardhshme. Ndërkohë ne do duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë gjithë organet e atyre që janë të infektuar dhe duhet të bëhemi qytetarë të mirë dhe të dëgjojmë ata që na japin urdhra, që nuk mund të jemi më afër se dy metra prej njëri-tjetrit, se nuk mund të shkojmë në dasëm, ose funerale. Jeta jonë ka ndryshuar jashtëzakonisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG