Lidhje

Kuzhina e madhe e José Andrés, në shërbim të nevojtarëve 


Chef Jose Andres organizes meals for first responders in Washington, DC

Një nga kuzhinierët më të famshëm në botë José Andrés ka mobilizuar restorantet e tij në Uashington DC dhe Nju Jork për të ndihmuar ata që kanë nevojë gjatë pandemisë së koronavirusit, duke gatuar e dhuruar ushqim falas. Për shkak të shkallës së lartë të bllokimit në nivel kombëtar, kuzhinieri ka shkuar më tej duke shndërruar stadiumet gjigande në kuzhina të improvizuara.

Kuzhinieri José Andrés i njoftoi planet e tij për të përdorur përkohësisht stadiumet bosh për qëllime bamirësie në muajin mars, atëherë kur pandemia e koronavirusit kishte nisur të përhapej me shpejtësi. Ai kishte si qëllim të siguronte ushqim për një numër të madh njerëzish, që pa pritur e gjetën veten në nevojë për shkak të një bllokimi në rang kombëtar. Por Andres dhe organizata e tij bamirëse e quajtur "World Central Kitchen" kishin nevojë për një kuzhinë të madhe. Stadiumi i bejsbollit në Washington, D.C. ishte i duhuri.

"I kemi përdorur stadiumet dhe arenat edhe më parë. Ato janë shumë të rëndësishme, janë pjesë e komunitetit në kohë të mira, por janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e komunitetit në raste urgjence. Këtu brenda ne po përdorim kuzhinën, do të prodhojmë me mijëra vakte, me dhjetëra mijëra në fakt!", thotë José Andrés, shef Kuzhine dhe themelues i organizatës “World Central Kitchen”

Stafi i stadiumit ishte i lumtur të ndihmonte.

“Donim të kuptonin se çfarë mund të bënim me fushën me qëllimin për të ndihmuar njerëzit me COVID- 19. Kemi aftësi të gatuajmë nje sasi të madhe ushqimi rregullisht për të gjithë miqtë tanë, e kemi lehtësira të mëdha. Kështu që kontaktuam me ekipin e José Andrés dhe i thamë: ne do të donim që të krijonim një partneritet me ju, a jeni të interesuar për ta përdorur fushën për operacionet e kuzhinës këtu në Uashington DC?” thotë Jonathan Stahl, një nga drejtuesit e stadiumit.

Kuzhina e bollshme e stadiumit u jep mundësinë 50 personave të punojnë krah për krah njërit- tjetrit çdo ditë, nga 7 e mëngjesit deri më 6 pasdite. Ushqimi është i ekuilibruar dhe i mbushur me vlera ushqyese, mish, perime, oriz e fruta. Ushqimi që gatuhet paketohet dhe shoferët e shërbimit “Uber Eats” i dërgojnë ato në vende të ndryshme, spitale, shtëpi pleqsh, familje me të ardhura të ulëta dhe zona ku grumbullohen njerëz të pastrehë. Pavarësisht nga madhësia e operacionit, garantohet siguri për të gjithë ata që punojnë aty.

“Ne u kontrollojmë temperaturën të gjithë atyre që punojnë këtu, për t'u siguruar që nuk kanë ethe dhe temperatura është nën 37.5 gradë. Ata që kontrollohen janë gati për punë. U kërkojmë gjithashtu t’i vendosin gjërat e tyre personale në një ambient të veçantë", thotë Jonathan Stahl.

Iniciativa e José Andrés nuk është e kufizuar. Falë donacioneve, kuzhinieri dhe ekipi i tij shpërndajnë sasi të mëdha ushqimesh edhe në qytete të tjera në të gjithë vendin. Andres thotë se angazhimi i tij është pa afat dhe se ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të bëjnë këtë gjë, për aq kohë sa është e nevojshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG