Lidhje

Vështirësitë e një biznesmeni imigrant në kohën e pandemisë


Një biznesmen immigrant ka kaluar disa periudha të vështira, por tani me pandeminë e koronavirusit ndodhet në një situatë edhe më të rëndë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se mbyllja e aktivitetit ka prerë lidhjet e tij si me furnizuesit, ashtu edhe me klientët. Ai shpreson se ekonomia do të rihapet, por mbi të gjitha do që pandemia të vihet nën kontroll.

Liang Liang, imigrant nga Kina, është shitës me shumicë i lojërave dhe artikuj unikë.

“Bluza verore, bluza sporti, çorape e kapele”.

Ai e merr mallin nga Kina. Trafiku detar është ngadalësuar, por ky fakt nuk është problem.

Për momentin ai ka plot inventar, por klientët e tij – dyqanet në zonën kineze dhe japoneze të qytetit të Los Anxhelosit, nuk janë në biznes këto kohë.

Ai mund të rezistojë për pak muaj, duke jetuar me kursime.

“Çdo muaj duhet të paguaj qeranë e banesës dhe të magazinës. Është problem shumë, shumë i madh”.

Në total i duhen 3000-4000 dollarë për shpenzimet e muajit.

Ai ka bërë kërkesë për asistencë papunësie nga shteti i Kalifornisë.

“Nuk ma aprovuan, nuk mora asgjë”.

Megjithë vështirësitë, ai nuk është dakord me protestuesit që duan rihapjen e ekonomisë menjëherë.

“Po dole në punë, të kap lehtë virusi, po nuk dole në punë nuk mban dot familjen. Nuk jeton dot. Po kalojmë kohë shumë të vështira”.

Ai është kritik ndaj punës së qeverisë.

“Nuk mendoj se qeveria federale po bën një punë të mirë; presidenti rri mban fjalime në televizor,” thotë Liang Liang.

Ai mirëpret pagesat për stimulimin e ekonomisë nga qeveria federale, që po shpërndahen përveç asistencës për papunësi, por mendon se Presidenti Trump nuk po bën sa duhet për të ndalur përhapjen e virusit.

Zoti Liang do më shumë testime dhe masa për të ndjekur kontaktet e personit të infetuar me të tjerët, që rihapja të bëhet pa shtuar rrezikun.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG