Lidhje

Fermerët i druhen falimentimit nga koronavirusi


Fermerët shkatërrojnë parcelat e mbjella me sallatë, pasi nuk ka kërkesë për produktin.
Fermerët shkatërrojnë parcelat e mbjella me sallatë, pasi nuk ka kërkesë për produktin.

Fermerët amerikanë po shkatërrojnë produktet për të ulur prodhimin në përgjigje të ndërprerjes së linjave të shpërndarjes së mallit si rezultat i koronavirusit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se fermerët dhe zyrtarët po përpiqen të gjejnë mënyra për të vazhduar furnizimet me ushqime në zonat ku nevojitet:

Fermerët i druhen falimentimit në kohën e koronavirusit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Fermerët po shkatërrojnë parcelat me sallatë që normalisht do t’u shitej restoranteve. Urdhrat në 43 shtete për të ndalur aktivitetin kanë shkaktuar mbylljen e restoranteve dhe zhdukjen e kërkesës.

Blegtorët amerikanë kanë derdhur qumësht dhe kanë kufizuar prodhimin që kur blerësi kryesor, sistemi shkollor që furnizon mencat e shkollave, është mbyllur.

“Mbyllja e shkollave ka pasur ndikim të madh. Klienti numër një për qumësht të freskët në Amerikë është sistemi që furnizon programin ushqimor në shkolla. Plus edhe rënia e kërkesës për produkte të tjera të freskëta, bëhet fjalë për zhdukjen e kërkesës për 15-25 milionë porcione ushqimi në ditë,” thotë Jamie Johansson me Federatën e fermave bujqësore.

Goditja e koronavirusit pason humbjet që kanë pësuar fermerët nga reduktimit i eksporteve bujqësore.

“Produktet e blegtorisë eksportohen në Kinë, Meksikë, në brezin juglindor të Paqësorit. Me vendosjen e masave të karantinës në këto vende, aktiviteti i transportit në porte është thuajse ndalur plotësisht,” thotë Anja Raudabaugh, përfaqësuese e shoqatës së bizneseve perëndimore të blegtorisë.

Një tjetër problem është se qumështi dhe produkte të tjera të freskëta nuk mund të ndryshojnë lehtë destinacionin origjinal:

“Kemi të bëjmë me produkte që prishen shpejt, për shembull qumështi që duhet dërguar nga ferma, tek fabrikat e përpunimit brenda pak orësh. Duhet mbajtur në frigoriferë, në temperaturë të kontrolluar gjatë gjithë kohës,” thotë zonja Raudabaugh.

Shumë tregje dhe dyqane ushqimesh kanë qëndruar hapur. Prodhuesit thonë se po përpiqen ta dërgojnë produktin aty ku kërkohet:

“Fermerët po kërkojnë tregtarë me pakicë që do ta blejnë produktin. Kërkesa tek qendrat e bamirësisë që shpërndajnë ushqim falas është rritur prej 50%, por ne nuk jemi në gjendje t’u dërgojmë produktet tona,” thotë zoti Johansson.

Përpjekjet janë penguar nga ndryshimet në zinxhirin e shpërndarjes.

Pas shfaqjes së disa vatrave të infeksionit me koronavirus në disa fabrika të përpunimit të mishit, zyrtarë shtetërore e federalë thonë se po punojnë për të garantuar që ushqimi mbetet cilësor.

Fermerët, si dhe pronarë të tjerë biznesesh, kanë marrë mbështetje nga qeveria federale për të përballuar krizën.

“Një mijë gjëra duhet të ecin mirë që të thuash se kishe një vit të mirë; mjafton një gjë e vetme të shkojë keq që të sjellë një vit të keq, një vit që të çon në falimentim. Kjo na tremb të gjithëve, se mund të përfundojmë në falimentim. Ndodhi diçka krejt e papritur,” thotë zoti Johansson.

Askush nuk e di sa se kohë do të duhet para se vendi dhe industria e ushqimit të kthehen në normalitet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG