Lidhje

Dy arrestime pas vrasjes së një afrikano-amerikani në Xhorxhia


In this May 5, 2020, photo, Keith Smith speaks to a crowd as they march through a neighborhood in Brunswick, Ga.
In this May 5, 2020, photo, Keith Smith speaks to a crowd as they march through a neighborhood in Brunswick, Ga.

Autoritetet e Xhorxhiasë arrestuan një burrë të bardhë 64 vjeç dhe djalin e tij 34 vjeçar të enjten dhe ndaj tyre u ngritën akuza për vrasje. Ata akuzohen se kanë ndjekur me makinë dhe kanë qëlluar për vdekje një afrikano-amerikan pasi e gjetën atë duke vrapuar në lagjen e tyre.

Akuzat erdhën më shumë se dy muaj pasi Ahmaud Arbery, 25 vjeç, u vra në rrugën e një lagjeje në perferi të qytetit portual të Brunswickit. Në të gjithë vendin u shtua zemërimi për këtë rast pasi këtë javë u publikua një video e regjistruar me celular, që tregonte të shtënat me armë gjatë këtij incidenti.

Gregory McMichael i tha policisë pas incidentit në shkurt se ai dhe djali i tij ndoqën zotin Arbery sepse ata dyshuan se ai ishte hajdut. Nëna e zotit Arbery, Wanda Cooper Jones, ka thënë se beson se djali i saj, një ish-lojtar i futbollit amerikan, ishte thjesht duke vrapuar në lagjen Satilla Shores para se të vritej një të diele pasdite.

Babë e bir në burg

Byroja e Hetimit në Xhorxhia (GBI) njoftoi arrestimet një ditë pasi ajo filloi hetimin e vet me kërkesën e një prokurori të jashtëm. Agjencia tha në një njoftim se Gregory McMichael, 64 vjeç, dhe djali i tij 34-vjeçar, Travis McMichael, ishin burgosur nën akuzën për vrasje dhe sulm të ashpër.

Në njoftimin e Byros së Hetimit në Xhorxhia thuhej se McMichaels "e konfrontoi Arbery-n me dy të shtëna. Gjatë përballjes, Travis McMichael qëlloi dhe vrau Arbery-n". Asnjë detaj tjetër nuk u lëshua menjëherë.

Nuk dihej menjëherë nëse të dyshuarit McMichaels kishin avokatë mbrojtës që mund të komentonin për akuzat.

Gregory McMichael ka shërbyer si hetues për Prokuroren e Qarkut të Qarkut Glynn, Jackie Johnson. Ai doli në pension vitin e kaluar. Lidhja me të bëri që prokurorja Johnson të tërhiqte veten nga ky rast.

Guvernatori tha se shteti do të 'gjejë të vërtetën'

Në një konferencë shtypi para se të njoftoheshin arrestimet të enjten, Guvernatori republikan Brian Kemp u tha gazetarëve se ai ishte i sigurt se hetuesit e shtetit do të "gjenin të vërtetën".

"Në fillim të kësaj jave, unë pashë videon që tregonte momentet e fundit të zotit Arbery të gjallë," tha guvernatori Kemp në një konferencë shtypi në Atlanta. "Unë mund t'ju them se është absolutisht e tmerrshme, dhe banorët e Xhorxhias meritojnë përgjigje."

Gregory McMichael i tha policisë se ai dyshonte se vrapuesi (Arbery) ishte i njëjti njeri i filmuar nga kamerat e sigurisë duke kryer një vjedhje. Ai dhe djali i tij, Travis McMichael, rrëmbyen armët dhe filluan ta ndiqnin atë me makinën e tyre.

Videoja tregon një afrikano-amerikan duke vrapuar me një ritëm normal në anën e majtë të një rruge. Një makinë është parkuar në rrugën përpara tij. Një nga burrat e bardhë është brenda makinës ndërsa tjetri te dera e hapur pranë sediljes së shoferit.

Vrapuesi përshkon rrugën për të kaluar makinën në anën e pasagjerit, pastaj kalon përpara saj për të kaluar në anën tjetër të rrugës. Dëgjohet një e shtënë me armë dhe video tregon vrapuesin me një burrë tjetër në rrugë, duke u kapur për një armë që i ngjante një pushke gjuetie. Pastaj dëgjohet një e shtënë e dytë, dhe vrapuesi mund të shihet duke goditur një njeri. Një e shtënë e tretë nga afërsia dëgjohet dhe vrapuesi (Arbery) lëkundet për disa metra dhe bie me fytyrë në tokë.

Avokati mbrojtës i qarkut të Brunsuikut, Alan Tucker e identifikoi veten të enjten si personi që e ndau videon me një stacion radioje. Në një deklaratë, zoti Tucker tha se ai nuk përfaqësonte askënd të përfshirë në këtë çështje. Ai tha se e publikoi videon "sepse komuniteti im po shqyhej nga akuza dhe supozime të gabuara".

Tucker nuk tregoi se si e kishte marrë videon. Ai nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi telefonik dhe një mesazhi me postë elektronike.

Komentet e Presidentit Trump, ish nënpresidentit Biden

Reagimet e shumta për vrasjen tërhoqën vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti Donald Trump i ofroi ngushëllime të enjten familjes së zotit Arbery.

"Është një gjë shumë e trishtuar," tha Presdienti Trump në Zyrën Ovale, "por do të më jepet një raport i plotë për këtë në mbrëmje."

Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e partisë demokrate si kandidat i saj për president, e quajti vdekjen e zotit Arbery një "vrasje". Gjatë një diskutimi në internet të enjten, Biden e cilësoi videon si një "linçim para syve tanë" të zotit Arbery.

Prokurori i jashtëm që po mbikëqyr çështjen, Tom Durden, tha të hënën se ai dëshironte një juri të madhe për të vendosur nëse akuzat kanë merita. Duke marrë parasysh që gjykatat e Xhorxhias ende janë kryesisht të mbyllura për shkak të koronavirusit, kjo nuk pritet të ndodh para mesit të qershorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG