Lidhje

Kosovë, Kryeministri del nga karantina


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, doli të martën nga vetizolimi në të cilin kishte hyrë të hënën për shkak të dyshimeve se kishte pasur kontakt me një person që mund të ishte i prekur me koronavirus.

Kosovë, Kryeministri del nga karantina
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Në një përgjigje për "Zërin e Amerikës", zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, tha se zyrtari me të cilin kishte pasur kontakt kryeministri doli negativ në testimin për koronavirus, ndaj kryeministri dhe i gjithë kabineti qeveritar rifilloi punë të martën, por me masa të shtuara të kujdesit.

Tri ditët e fundit shënuan një rritje të rasteve të të prekurve pas më shumë se një jave që ishte përshkuar më numër shumë të vogël të të infektuarve dhe numër të lartë të të shëruarve.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, në një bisedë përmes telefonit i tha Zërit të Amerikës se shtimi i numrit të të prekurve lidhet me lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes së qytetarëve.

“Lidhshmëria e rritjes së këtij numri me lehtësimin e masave do të vlersohet dhe do të jepet një raport në fund të kësaj periudhe, kur të bëhet dy javori pra deri me 18 maj. Por ajo që është e rëndësishme në këtë fazë është të kërkojmë nga qytetarët respektim të masave sepse në periudhën në të cilën po kalojmë, me masa të lehtësuara, bëhet i domosdoshëm edhe më tepër respektimin e masave mbrojtëse si distancimi social apo përdorimi i maskave, që janë dy prej hallkave kryesore për mbajtjen e numrit të vogël të rasteve të të infektuarve”, thotë ai.

Zoti Sadiku tha se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve do të rishqyrtohen masat që janë në fuqi aktualisht.

“Sigurisht këto masa pas çdo periudhe do të rishqyrtohen dhe do të vendoset për hapa të tjerë që do të ndërmerren nga ministria e Shëndetësisë me qëllim që të bëhet një harmonizim i masave lehtësuese me masat që do të ndikojnë në zvogëlimin e rasteve”, thotë zoti Sadiku.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të hënën mbrëma 11 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi pas 196 testeve të kryera.

Rastet e së hënës e çuan në 895 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 28 persona, ndërsa 657 janë shëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG