Lidhje

Presidenti Meta padit qeverinë në Gjykatë Kushtetuese për vendimin ndaj Teatrit


Presidenti Ilir Meta
Presidenti Ilir Meta

Në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, iu drejtua sot sërish Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Presidenti thotë se duhet shfuqizuar si antikushtetutes vendimi i qeverisë për të kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Presidenti Meta padit qeverinë për Teatrin Kombëtar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Kjo është hera e dytë që presidenti Meta shkon në Gjykatë Kushtetuese për këtë temë. Ai i kërkoi Gjykatës të shfuqizojë si antikushtetues ligjin special Fusha dhe të ndalet rrëzimi i Teatrit Kombëtar, deri sa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave nga qeveria.

“Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memorja jonë e përbashkët kolektive, të humbasë. Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar” - tha presidenti Meta.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon restaurimin e ndërtesës historike 80 vjeçare.

Organizata “Europa Nostra” e ka futur Teatrin e Shqipërisë në listën e 7 objekteve kulturore më të rrezikuara dhe ka shprehur gadishmërinë ta restaurojë me fonde europiane.

Por qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë thënë se teatri i ri është pjesë e planeve për zhvillimin e qytetit. Socialistët bënë një ligj special në parlament, që një firmë private ta ndërtonte objektin e ri, ndërsa tani këtë ndërtim e ka marrë përsipër vet bashkia. Këshilli bashkiak diskuton nesër për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu në të njëjtin truall.

“Qëllimi për shkatërrimin e godinave aktuale të kompleksit të Teatrit Kombëtar është vendosur dhe urdhëruar në mënyrë të detyruar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Këshilli Bashkiak, mbetet vetëm që ta vendosin në ekzekutim këtë vullnet politik të Qeverisë dhe Kryeministrit. Ky akt i Këshillit të Ministrave përmban të njëjtën problematikë kushtetuese dhe të njëjtin rrezik sikundër dhe ligji special nr. 37/2018, që aktualisht është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Të dy këto akte- ligji nr. 37/2018 dhe VKM nr. 377/2020, shprehin qartë të njëjtin qëllim politik: Prishjen e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, gjë e cila do të përbënte shkelje shumë të rëndë të parimeve kushtetuese që lidhen me identitetin dhe trashëgiminë tonë kombëtare, vlera këto të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo i ka ratifikuar. Prandaj këto akte duhen shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë sa më shpejt edhe për pezullimin e ekzekutimit të tyre” - tha zoti Meta.

Policia bashkiake shkoi dje pranë Teatrit Kombëtar për të marrë objektin, që tani e tutje me vendim qeverie është pronë e bashkisë së Tiranës. Ky hap i policisë provokoi mbrëmë një tubim spontan të artistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë prej disa vitesh planet për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar aty një teatër të ri. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka më shumë se 9 muaj që po e mbron kompleksin historik të Teatrit Kombëtar 24 orë pa ndërprerje dhe po proteston prej më shumë se dy vjetësh, qysh nga shkurti 2018 për të penguar projektet e shembjes së Teatrit Kombëtar, ata kërkojnë që një teatër i ri mund të ndërtohet kudo tjetër në Tiranën 100 vjet kryeqytet, por jo mbi ndërtesës historike 80 vjeçare të arteve shqiptare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG