Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleatët e tij vazhdojnë të nxisin "Obamagate", një teori konspirative sipas së cilës ish-Presidenti Barack Obama ishte përgjegjës për planifikimin e hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, teoria e konspiracionit Obamagate është duke u përmendur tani vetëm disa muaj nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Presidenti Donald Trump përsëri ka kthyer vëmendjen te shënjestrat e tij të njohura politike.
"Obamagate. Ka vazhduar për një kohë të gjatë. Ka filluar shumë kohë më parë, madje para se unë të fitoja zgjedhjet”.
Presidenti Trump ka akuzuar prej kohësh ish-Presidentin Barack Obama për vepra të ndryshme, duke përfshirë fajësimin e ish-presidentit për përpjekje për të sabotuar administratën e ardhshme të Presidentit Trump në vitin 2017. Por ai nuk dha më shumë hollësi.
"Ju e dini se cili është krimi. Krimi është shumë i qartë për të gjithë".
"Obamagate" është një teori konspirative që e mban ish Presidentin Obamën përgjegjës për planifikimin e hetimit të prokurorit Muller mbi ndërhyrjen ruse për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump po nxit debatin për teorinë përpara zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat ai do të përballet me ish-Nënpresidentin Joe Biden, i cili ishte pjesë e administratës së ish-presidentit Obamës.
"Çdo gjë që ai mund të bëjë për të hedhur një vëmendje negative ndaj Bidenit, edhe nëse është indirekte përmes kritikave ndaj ish-presidentit Obama, është diçka që Presidenti Trump, fushata dhe miqtë e tij do ta shfrytëzojnë. Dhe në këtë rast, fakti që ai ishte nënpresident i Obamës dhe kishte njohuri për disa nga këto hetime, u jep atyre arsenal të mjaftueshëm për ta lidhur zotin Biden me këto çështje”, tha Norman Ornstein nga Instituti konservator “American Enterprise”.
Teoria e konspiracionit është nxitur më tej nga polemika e vazhdueshme mbi ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn.
Në një përmbysje mahnitëse javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë kërkoi tërheqjen e akuzave kundër zotit Flynn për gënjim të FBI-së në lidhje me bisedat e tij me ambasadorin e Rusisë disa javë para se të inagurohej Presidenti Trump.
Pas rrjedhjes së një telefonate private që tregonte ish presidentin Obama duke kritikuar vendimin e administratës Trump për zotin Flynn, Presidenti Trump tha të enjten në një postim në Twitter se Presidenti Obama duhet të detyrohet të dëshmojë për "skandalin".
Gjithashtu këtë javë, shefi i inteligjencës amerikane i caktuar nga Presidentit Trump, Richard Grenell deklasifikoi dhe publikoi emrat e zyrtarëve të lartë të administratës Obama të përfshirë në "demaskimin" ose zbulimin e identitetit të zotit Flynn ndërsa ai ishte nën survejim të qeverisë. Në mesin e këtyre zyrtarëve ishte edhe Joe Biden, duke shkaktuar një zemërim nga aleatët e Presidentit Trump.
"Nëse Nënpresidenti Biden dhe rrethi i ngushtë i këshilltarëve të presidentit po dëgjonin një bisedë telefonike private të një këshilltari të administratës Trump, kjo do të përbënte një abuzim serioz të pushtetit", tha Rand Paul, senator republikan.
Zbulimi i identitetit është një praktikë e zakonshme në inteligjencën amerikane dhe fushata e zotit Biden e hodhi poshtë këtë pretendim duke e quajtur atë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen diku tjetër. Por fushata e Presidentit Trump po e promovon idenë se Biden abuzoi me pushtetin.
"Nuk ka rëndësi nëse diçka është e vërtetë apo jo. Nëse mund të thuani se ekziston një komplot dhe arrini t’i bindni njerëzit e tjerë që të bien dakord me ju për këtë, atëherë ju bëheni një person shumë i fuqishëm sepse i keni paditur ata, duke sulmuar besueshmërinë e tyre", tha Jennifer Mercieca nga Universiteti A&M i Teksasit.
Me rritjen e rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, kritikët thonë se përqendrimi i Presidentit Trump tek Obama është pjesërisht një përpjekje për të larguar vëmendjen e publikut nga trajtimi i pandemisë nga administrata e tij.
"Obamagate bëhet një shpërqendrim i madh nga historia më e madhe e kohës sonë, që nuk është një histori e mirë për Presidentin Donald Trump", tha Norman Ornstein nga Instituti konservator “American Enterprise”.
Në fillim të kësaj jave, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany tha se zyrtarët e Obamës e bën zotin Trump të dukej si një aset rus pa patur asnjë dëshmi.
Facebook Forum