Lidhje

Ndëshkimi i Tv Ora: Reagime në mbrojtje të lirisë së shtypit


Ndëshkimet ndaj Televizionit Ora nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor erdhën formalisht sepse në dy programe kishte më shumë se dy persona në studio.

Por vëzhguesit mendojnë se prapa këtyre gjobave dhe kërkesës fillestare për të mbyllur televizionin, që më pas u tërhoq, qëndron arroganca e qeverisë ndaj medias së lirë, dhe frenimi i dy programeve kritike ndaj qeverisë.

Këshilltarja ligjore e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit (ECPMF) me qendër në Gjermani, Flutura Kusari, pohoi se nga hera e fundit që Shqipërinë e vizitoi një mision i 7 organizatave ndërkombëtare të lirisë së shtypit, është përkeqësuar më tej situata e shtypit shqiptar.

Ashtu si parashikoi dhe paralajmëroi misioni në deklaratën e fundit, tha ajo, u shtuan më tej presionet dhe denigrimet e qeverisë ndaj mediave, dhe Shqipëria është vënë nën një monitorim më të rreptë për shkak të këtyre zhvillimeve.

“Mënyra se si kryeministri Rama dhe qeveria e tij i trajtojnë mediat është njëlloj sikur mediat të ishin armiku i popullit. Kjo i vë gazetarët në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshme. Zoti Rama nuk e pranon një ndër parimet dhe standartet kryesore të Bashkimit Europian, që është liria e mediave. Prandaj për ne janë jashtëzakonisht shqetësuese ato që po ndodhin me mediat në Shqipëri, dhe për këtë arsye ka një monitorim shumë më të rreptë ndërkombëtar se sa ka patur më herët” - tha zonja Kusari.

Gazetarët dhe Televizioni Ora pohuan se edhe më parë kanë qenë nën presionin e qeveritarëve qendrorë dhe vendorë për shkak të detyrës së tyre si reporterë.

Edhe masat e fundit ndaj Tv Ora janë pjesë e rrugëtimit të presionit që qeveria ushtron ndaj mediave, tha redaktorja e njohur Sonila Meço e programit Tempora, e cila ishte viktima e ndëshkimeve më të fundit të mediave dhe gazetarëve nga autoritetet shtetërore.

“Kjo qeverisje, ky pushtet karakterizohet nga dy fjalë, që kanë mbetur fort në kujtesën e shqiptarëve: Burg dhe Gjoba. Ngjan me sistemin e kaluar, që e njohim fort mirë, duke dëshmuar një kontroll të pushteteve të tjerë në vend nëpërmjet këtyre dy masave. Gjoba, ndëshkimi, burgu janë pjesë e një filozofie të njohur 7-vjeçare të këtij pushteti” - tha zonja Meço.

Vëzhguesit vlerësojnë se ndëshkimet ndaj Televizionit Ora janë në shpërpjestim të thellë me sakrificat e shumta, që gazetarët e tij bënë gjatë dy muajve të epidemisë, duke rrezikuar jetën e tyre për lajmet dhe duke qenë kudo në terren pranë qytetarëve, njëlloj si mjekët dhe policia.

Në shumë vende periudha e pandemisë, pohuan ata, ka shtuar sjelljet autoritariste të qeverive, po ashtu edhe në Shqipërinë me demokraci hibride dhe të brishtë.

“Zoti Rama duket i targeton në mënyrë të veçantë gratë gazetare. Ne e shohim edhe në gjuhën e tij denigruese, fyerjet kur ato e intervistojnë, ai gjithmonë i trajton në një mënyrë jashtëzakonisht të keqe dhe i ofendon. Në rastin e RTV Ora ne pamë që ishte pikërisht emisioni Tempora, i cili drejtohet nga një grua, të cilin e targetoi. Sikur Vuçiçi edhe liderë të tjerë që kanë probleme me lirinë e medias, edhe Rama duket i targeton gratë dhe normalisht që kjo është edhe më shqetësuese” - tha zonja Kusari.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore u shty deri në qershor, por të gjitha masat po lehtësohen, thotë redaktorja Sonila Meço; parlamenti po mblidhet, qeveritarët po zhvillojnë takime publike me shumë persona nëpër zyra, atëherë pse media nuk mund të ftojë më shumë se dy persona, kur ky është parimi bazë i gazetarisë.

Shtimi i të ftuarve studiot televizive po ndodh edhe në studio të tjera shqiptare dhe europiane, ku goditja e pandemisë ishte shumë herë më e rëndë se në Shqipëri, theksoi ajo.

“Unë kam sjellë vazhdimisht pamje të programeve televizive në Itali, në Gjermani, në Holandë, Francë dhe shumë vende të botës, që kanë patur situata shumë herë më problematike me pandeminë se sa Shqipëria, ku nëpër studio ka më shumë se 5 apo 6 persona të ftuar. Media shqiptare sot është një ndër faktorët më të rëndësishëm për të ndërtuar një transparencë jetike për përballimin e kësaj situate. Në Shqipëri mungon transparenca” - tha zonja Meço.

Në raportin e fundit mbi Shqipërinë, 7 organizata ndërkombëtare të lirisë së shtypit theksuan se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar dhe qeveria nuk është transparente, ndërsa politikanët përdorin një gjuhë të ashpër ndaj medias.

Ata pohuan se, krahasur me rajonin, Shqipëria është një nga vendet me problemet më të mëdha sa i takon lirisë së shtypit. Raporti thekson se sulmet fizike ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur, ndërsa zyrtarë të lartë publikë përdorin shpesh gjuhë fyese e nënvleftësuese ndaj gazetarëve kritikë.

Organizatat që u bashkuan në këtë raport ishin Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG