Lidhje

Shqipëri, rriten për të tretën ditë radhazi rastet e reja me COVID 19


Në Shqipëri, për të tretën ditë radhazi, rastet e reja me Covid 19 rregjistruan rritje krahasuar me fillimin e kësaj jave. Edhe sot, autoritetet njoftuan për 17 të infektuar të rinj.

Sipas zonjës Rovena Daja, të Institutit të Shëndetit Publik “rastet e reja janë të përqëndruara në zonën Tiranë-Durrës, 8 në Tirane, 8 në Durrës dhe 1 në Krujë, kryesisht kontakte të rasteve pozitive të mëparshme, por edhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik”.

Që nga nisja e epidemisë, në gjithë vendin numërohen 933 raste, prej të cilëve 714 janë shëruar. Rritja e rasteve të reja nuk është shoqëruar deri më tani me rritjen e numrit të të shtruarve në spital, ku vijojnë të mbeten 19 pacientë nga të cilët 4 në terapi intensive.

Zonja Daja teksoi se “rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë”.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi dje rrezikun e rikthimit të masave shtrënguese nëse në ditët në vijim do të ketë një rritje të mëtejshme të rasteve të reja me COVID19, duke saktësuar se niveli aktual përbën maksimumin e lejuar nga skenarët e hapjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG