Lidhje

Kosovë, lehtësimi i masave dhe situata epidemike


Në Kosovë që nga e hëna do të fillojë zbutja e masave kufizuese që ishin vendosur për shkak të pandemisë së COVID-19.

Kosovë, lehtësimi i masave dhe situata epidemike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të premten mbrëma tha se pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë përmbushur kushtet për fillimin e fazës së dytë të lehtësimit.

“Nga e hëna do të rihapen këto biznese; floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti merre me vete, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë. Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në kartat e tyre të identitetit”, tha zoti Kurti.

Infektologu Valbon Krasniqi në një bisedë për Zërin e Amerikës përmes Skype-it tha se pas lehtësimit të masave është e pritshme që të shtohen mundësitë e infektimeve.

Ai thotë se është me rëndësi që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat që janë dhënë nga profesionistët shëndetësorë siç janë mbajtja e maskave dhe distanca fizike.

“Deri më tani ne kemi parë një disiplinë të jashtëzakonshme të qytetarëve normalisht me përjashtime të vogla por ka qenë një dëgjueshmëri e mirë e qytetarëve dhe padyshim se kanë merita të mëdha në këtë situatë të cilën ne sot e kemi. Kemi disa indikator mjaft favorizues sa i përket vendit tonë para se gjithash vet struktura demografike e popullatës, mosha e re deri 50 për qind deri në moshën 26 vjeçare si dhe dendësia e vogël e popullatës, ne kemi diku 160 deri 170 banorë për kilometër katrorë pra këta janë disa indikator që të paktën na ndihmojnë që të kemi numër të vogël të personave që do të manifestojnë forma të rënda të sëmundjes”, tha ai.

Infektologu Krasniqi thotë se që nga paraqitja e rasteve të para 190 persona të infektuar kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor. Ai thotë se situata epidemike në Kosovë është e menaxhueshme.

“Ajo që është me rëndësi është që qytetarët duhet ta kuptojnë faktin që ende jemi në kohën e pandemisë, mendoj që jemi duke shkuar drejt fundit të saj por virusi ende është prezent dhe mund të infektojë njerëz të tjerë nëse vijnë në kontakt me personat e sëmurë me COVID. Ne kemi pak diçka më shumë 200 raste aktive ende në Kosovë dhe kemi një numër të konsiderueshëm që konsiderohen si kontakte të afërta dhe të cilët janë në monitorim nga ana e ekipeve në terren”, tha doktor Krasniqi.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se rritja e numrit të të prekurve ditëve të fundit është pjesë normale e një pandemie e cila kërkon kohë që të zhduket tërësisht.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të shtunën mbrëma 23 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, që të gjithë persona që ishin në kontakt me rastet e konfirmuara me herët si të infektuara.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se me rastet e reja arriti në 978 persona numri i të prekurve nga COVID-19, 29 prej të cilëve tashmë kanë humbur jetën ndërsa 713 janë shëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG