Lidhje

Biden bën paraqitjen e parë publike në më shumë se 2 muaj


Ish-nënpresidenti Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden vendosën një kurorë me lule në një monument të të rënëve në Uilmington.

Joe Biden bëri paraqitjen e tij të parë publike në më shumë se dy muaj ndërsa shënoi Ditën e Përkujtimit të të Rënëve duke vendosur një kurorë me lule në një memorial të veteranëve të ushtrisë pranë shtëpisë së tij në Delauer.

Që nga anulimi i papritur i një tubimi elektoral më 10 Mars në Klivëlend në fillim të pandemisë së koronavirusit, i emëruari i supozuar për kandidat presidencial të partisë demokrate ka zhvilluar pjesën më të madhe të fushatës virtualisht nga shtëpia e tij në Uilmington. Të hënën, Biden doli me maskë, në kontrast me Presidentin Donald Trump, i cili ka refuzuar të përdorë maskën në aktivitetet e tij publike, siç sugjerojnë zyrtarët amerikanë të shëndetësisë. Ish-nënpresidenti Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill Biden, vunë një kurorë me lule të bardha dhe u përkulën në heshtje para memorialit për të rënët e Luftës së Dytë Botërore dhe atyre të Luftës Koreane. "Asnjëherë mos harroni sakrificat që bënë këta burra dhe gra," tha ai më pas. "Asnjëherë, kurrë, mos harroni".

"Ndihem mirë që jam këtu," u tha Biden gazetarëve. Vizita e tij në memorialin e të rënëve ishte e pa njoftuar dhe nuk pati asnjë turmë në pritje të tij.

Joe Biden në Ditën e të Rënëve
Joe Biden në Ditën e të Rënëve

Por zoti Biden përshëndeti shkurtimisht një zyrtar të qarkut dhe një burrë tjetër, të dy të veshur me maska ​dhe duke mbajtur një distancë fizike mes tyre. Fushata e tij thotë se zoti Biden ka shkuar në park për Ditën e Të Rënëve shpesh në të kaluarën, megjithëse shërbimet ishin anuluar të hënën për shkak të pandemisë.

Megjithëse me shumë pak fjalë, paraqitja ishte një moment historik në një fushatë presidenciale që kryesisht është ngrirë nga shpërthimi i koronavirusit. Ndërsa mundësia e zhvillimit të ngjarjeve tradicionale siç janë tubimet dhe konventat presidenciale janë në dyshim, shfaqja e zotit Biden sugjeron se ai nuk do t'i kalojë gati pesë muaj që mbeten deri në ditën e zgjedhjeve tërësisht në shtëpi.

Presidenti Trump, i etur për të demonstruar se vendi po kthehet në jetë edhe kur numri i vdekjeve nga pandemia ka arritur në 100'000, mori pjesë në një aktivitet në Varrezat Kombëtare në Arlington të Virxhinias dhe në një ngjarje tjetër në Fort McHenry në Baltimore.

Presidenti Trump në Ditën e Të Rënëve
Presidenti Trump në Ditën e Të Rënëve

Pas ceremonisë së vendosjes së kurorave me lule në Arlington, Presidenti Trump mbajti një fjalim për nder të të rënëve në fortesën McHenry në Baltimore dhe vlerësoi kontributin e personelit ushtarak "në vijat e para të luftës sonë kundër këtij virusi të tmerrshëm."

Koronavirusi ka prekur pothuajse të gjitha aspektet e jetës amerikane dhe ka ndryshuar kushtet e zgjedhjeve. Argumenti i Presidentit Trump se ai meriton një mandat tjetër për shkak të ekonomisë së fortë është venitur ndërsa papunësia rritet në nivele që nuk janë parë që nga koha e Depresionit të Madh.

Duke u bazuar në përvojën e tij si senator dhe ish nënpresident, zoti Biden po përpiqet të pozicionohet si një kandidat me përvojën dhe ndjeshmërinë e duhur për ta udhëhequr vendin në përpjekjet për të dalë nga kriza. Presidenti Trump është kundërpërgjigjur se ai është udhëheqësi që mund të drejtonte rimëkëmbjen ekonomike më vonë këtë vit ose në vitin 2021.

Zoti Biden është përshtatur në epokën e koronavirusit duke ndërtuar një studio televizive në shtëpinë e tij, të cilën ai e kishte përdorur për të bërë paraqitje në emisionet e lajmeve, dhe emisionet satirike dhe ngjarje të fushatës virtuale. Disa nga këto përpjekje janë dëmtuar nga problemet teknike dhe momente të tjera të vështira.

Disa strategë demokratë e kanë shprehur hapur shqetësimin e tyre se zoti Biden po i jep shumë terren Presidentit Trump duke qëndruar në shtëpi. Vetë Presidenti Trump e ka kritikuar zotin Biden për zhvillim të fushatës nga bodrumi i shtëpisë së tij.

Këshilltarët e zotit Biden thonë se ata planifikojnë të kthehen në aktivitete normale të fushatës në një moment në të ardhmen, përfshirë udhëtimet në shtetet e pavendosura. Por ata nuk janë me ngut, duke preferuar respektimin e këshillave të ekspertëve shëndetësorë, udhëzimet e autoriteteve për të qëndruar në shtëpi dhe rekomandimet për distancim fizik.

Në moshën 77 vjeçare, zoti Biden është në grupin e moshuar të popullatës së vendit që mendohet të jetë veçanërisht e pambrojtur ndaj efekteve të koronavirusit, megjithëse edhe Presidenti Trump, i cili mbush 74 vjeç muajin tjetër, është pothuaj në një njejtën kategori.

"Ne kurrë nuk do të bëjmë zgjedhje që mund të dëmtojë në një mënyrë a tjetër, personelin tonë ose votuesve," tha kohët e fundit menaxherja e fushatës së zotit Biden, Jen O'Malley Dillon, duke shtuar se fushata do të rifillonte me aktivitete më tradicionale "kur siguria do ta lejonte, dhe ne nuk do ta bëjmë atë asnjë ditë më shpejt."

Presidenti Trump nuk ka rifilluar tubimet e mëdha që ishin shenjë dalluese e fushatës së tij të vitit 2016 dhe presidencës së tij, por ka filluar të udhëtojë jashtë Uashingtonit javët e fundit. Ai vizitoi një fabrikë të prodhimit të maskave në Arizona dhe një fabrikë të kompanisë amerkane të makinave, Ford në Miçigan, e cila tani po prodhon pajisje mjekësore.

Trump Biden
Trump Biden

Presidenti Trump madje luajti golf në klubin e tij në Virxhinia gjatë fundjavës, duke shpresuar se të tjerët do të ndjekin hapat e tij dhe do t’i kthehen jetës normale dhe gradualisht do të ndihmojnë në rimëkëmbjes së ekonomisë së dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ky ishte udhëtimi i parë i presidentit në një nga pronat e tij fitimprurëse që nga 8 marsi, kur ai vizitoi klubin e tij privat të golfit në West Palm Beach. Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli koronavirusin një pandemi botërore më 11 mars, dhe Presidenti Trump e ndoqi hapat e saj dy ditë më vonë duke shpallur pandeminë Covid-19 një urgjencë kombëtare.

Fushata e zotit Biden menjëherë nxorri një video në internet duke ofruar pamje të paqarta dhe nga një distancë e largët të Presidentit Trump në fushën e golfit, të shoqëruara me imazhe të virusit që po shkatërron vendin pasi numri i amerikanëve të vdekur nga pandemia po arrinte shifrën 100,000. Videoja përfundoi me fjalët: Numri i vdekjeve është ende në rritje. Presidenti po luan golf ”.

Presidenti Trump e kaloi Ditën e të Rënëve duke vizituar Varrezat Kombëtare të Arlingtonit dhe fortesën Fort McHenry në Baltimore, që do të pasohen me një udhëtim në brigjet e Floridës të mërkurën për të parë nisjen e astronautëve amerikanë në orbitë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG