Lidhje

Shkarkohen katër policë pas vdekjes në Mineapolis


Katër policë të qytetit Mineapolis u shkarkuan të martën pas revoltimit publik që ka pasuar vdekjen e një afrikano-amerikani nën arrest. Personi ishte nën pranga dhe një polic i bardhë i kishte vënë gjurin në qafë, ndërsa ai thërriste se nuk po mbushej dot me frymë.

Kryetari i Bashkisë i Mineapolisit, Jacob Frey reagoi ndaj njoftimit për shkarkimin e policëve, duke thënë “Ishte vendimi i duhur”.

FBI-ja do të përfshihet në procesin hetimor mbi vdekjen e personit.

Incidenti në Mineapolis është rasti i fundit në një numër vdekjesh kur afrikano-amerikanë kanë humbur jetën pasi janë ndaluar nga policë të bardhë.

Një kalimtar që e kishte xhiruar incidentin e publikoi atë në rrjetet sociale.

Sipas deklaratës së departamentit, policët kishin thirrur ambulancën pasi personi dukej se kishte probleme shëndetësore.

Në video shihet që viktima për minuta të tëra ankohet se nuk mbushet dot me frymë. Një nga oficerët dëgjohet duke i thënë “qetësohu”. Kalojnë edhe disa minuta, pastaj personi nuk lëviz më, ndërkohë që polici është ende mbi trupin e tij.

Kryebashkiaku Frey përmes një komenti në Facebook i kërkoi ndjesë komunitetit afrikano-amerikan, duke deklaruar se “të jesh afrikano-amerikan në SHBA nuk duhet të nënkuptojë dënim me vdekje”.

“Për pesë minuta radhazi shihet që një oficer i bardhë i ka vënë gjurin në qafë këtij burri afrikano-amerikan. Për pesë minuta. Kur dëgjon që dikush thërret për ndihmë, duhet ta ndihmosh. Oficeri dështoi në detyrën më themelore, në sensin njerëzor”.

Protestues në Mineapolis
Protestues në Mineapolis

Pamjet e së hënës sollën në kujtesën publike rastin e Eric Garner, një afrikano-amerikan nga Nju Jorku, i cili vdiq në 2014 pasi një oficer i bardhë e kapi për qafe, duke e shtrënguar me krah, ndërsa ai lutej se nuk po merrte dot frymë.

Babë e bir në Xhorxhia të akuzuar për vrasjen e të riut afrikano-amerikan Ahmaud Arbery.
Babë e bir në Xhorxhia të akuzuar për vrasjen e të riut afrikano-amerikan Ahmaud Arbery.

Rasti në Mineapolis pason vrasjen e Ahmaud Arbery, një djalë i ri në Xhorxhia i cili u qëllua për vdekje më 23 shkurt nga Gregory McMichael, një banor i bardhë, ish-polic, së bashku me djalin e tij.

Akuzat ndaj tyre u ngritën dy muaj pas incidentit, vetëm pasi u bë publike një video që tregonte vrasjen e të riut Arbery.

Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë dhune nga policët kundër afrikano-amerikanëve dhe pakicave të tjera.

“Rreth 1 ndër 1000 burra afrikano-amerikanë statistikisht mund të vritet nga policët,” sipas një studimi nga revista shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America.

Studimi arrin në përfundimin se “Burrat dhe gratë afrikano-amerikane dhe burrat e gratë e popullatës indigjene apo të fiseve indigjene të Alaskës kanë shumë më tepër gjasa se sa burrat e gratë e bardha të vriten nga policia. Burrat e përkatësisë latine po ashtu kanë gjasa më të larta se të bardhët të vriten nga policia”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG