Lidhje

SHBA, debate mbi projektligjin që autorizon përgjimin e zbulimeve të huaja


Ligjvënësit amerikanë debatuan të mërkurën mbi një projekligj që autorizon përgjimet e shërbimeve të huaja të zbulimit (FISA).

Projektligji (FISA) i cili ishte miratuar me shumicë në Senat në fillim të këtij muaji me një votim 80-16, po përballet me sfida të reja pasi Dhoma e Përrfaqësuesve me shumicë demokrate i shtoi disa amendamente. Ndryshimet bënë që Departamenti i Drejtësisë të tërhiqej të mërkurën nga mbështetja që i kishte dhënë projektligjit, duke kërcënuar me një veto nga Presidenti Donald Trump.

"Duke pasur parasysh efektin tejet negativ të këtyre ndryshimeve legjislative në aftësinë e Departamentit për të identifikuar dhe ndjekur terroristët dhe spiunët, Departamenti e kundërshton ligjin që aktualisht po shqyrtohet nga Dhoma e Përfaqësuesve", shkruante Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Stephen Boyd në një deklaratë. Ligji që përcakton procedurat për përgjimin e fuqive të huaja apo agjentëve të huaj ka shkaktuar kritika nga mbrojtësit e lirive civile që kërkojnë mbrojtje për shtetasit amerikanë, të cilët mund të jenë subjekt i një kontrolli të paligjshëm.

Në diskutim është një ndryshim i propozuar nga senatori Ron Wyden që u hodh poshtë vetëm me një votë në Senat, por u shtua nga ligjvënësja demokratike Zoe Lofgren në variantin në po shqyrtohet në Dhomë e Përfaqësuesve .

"Ashtu sikurse shumica dërrmuese e të dyja partive në Senat e demonstruan, amerikanët nuk duan që qeveria t'u shohë faqet e internetit që vizitojnë, videot në YouTube që ata shohin apo kërkimet në internet që ata kryejnë pa një urdhër", shkruante zoti Wyden në një deklaratë të martën duke përshendetur shtimin e këtij ndryshimi në ligj nga zonja Lofgren.

"Shpresoj që të gjithë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të votojnë kundër FISA-s deri sa shteti ynë të jetë në gjendje të përcaktojë se si dhe pse ndodhi skandali më i madh politik, kriminal dhe armiqësor në historinë e SHBA!" shkruante zoti Trump në twitter.

Zoti Trump ka mbështetur pohimin se akti "FISA" është përdorur në mënyrë të paligjshme për të spiunuar anëtarët e fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, në një përpjekje për ta penguar atë që të fitojë. Tashmë ai ka kërcënuar për vendosjen e vetos në lidhje me një variant të mëparshëm të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të muajin mars.

Sipas gjetjeve të një hetimi të Departamentit të Drejtësisë, Byroja Federale e Hetimit (FBI) kishte kryer gabime në hetimin e saj mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, përfshirë gabimet mbi një kërkesë për të vënë nën përgjim një ish-këshilltar të fushatës së zotit Trump, Carter Page. Megjithatë hetimi nuk gjeti ndonjë provë për ndikime politike siç thotë zoti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG