Lidhje

Tiranë, Reforma zgjedhore, përdorimi i teknologjisë ndan palët


Në Shqipëri, shumica dhe opozita bënë disa hapa të vegjël përpara në takimin e mbrëmjes të së enjtes, për Reformën zgjedhore, ndërsa mbeten të ndarë në temat e nxehta, siç është ajo e përdorimit të teknologjisë në procesin e votimit, e cila duket se ka zënë dhe pjesën më të madhe të debatit.

Përfaqësuesit e opozitës u shprehën të zhgënyer me qëndrimin e shumicës lidhur me këtë çështje. “Për fat të keq sot doli qartë se mazhoranca nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim të fusë identifikimin biometrik në të gjitha qendrat e votimit, për të garantuar që kutitë e votimit nuk do të mbushen, të mos ketë votim familjar, që komisionerët të mos mbushin kutitë në mbyllje të procesit me ata që nuk erdhën të votonin dhe të mos votohet me karta identiteti të falsifikuara”, tha zoti Bylykbashi, sipas të cilit duhet gjithashtu të ketë një process pilot dhe për votimin dhe numërimin elektronik.

Por socialisti Damian Gjiknuri, u shpreh se “Ne kemi rënë në parim dakort për funksionimin dhe përdorimin e teknologjisë. Por sot po bëjmë dispozitat e Kodit zgjedhor, ku i jepet atributi KQZ që të nisë të implementojë këtë sistem dhe angazhimi i Këshillit të ministrave për të dhënë mbështetjen financiare. Problemi është sa mund ta shtrimë. ODIHR thotë që duhet bërë kujdes dhe se përdorimi i tekonologjisë duhet bërë shkallë-shkallë. Jemi dakort për teknologjinë, por zgjedhjet nuk mund të vihen në dyshim pse nuk funksionon teknologjia”, deklaroi zoti Gjiknuri.

Kjo temë duket se do të jetë në qendër të diskutimeve që do të vijojnë këtë të premte paradite, duke qenë se opozita e ka kushtëzuar zgjidhjen e saj me ecurinë e aspekteve të tjera të procesit. “Identifikimi biometrik, është thebësisht I lidhur me cdo lloj marrëveshje lidhur me profesionalizimin e administratës zgjedhore, për të garantuar që zgjedhësi voton, vota e tij numërohet, dhe rezultati shpallet pa ndërhyrjen e askujt në këtë process. U ra dakort që shumica të vijë me një propozim të qartë që siguron identifikimin biometrik, një projekt pilot për votiin dhe numërimin elektronik dhe këto të jenë të shkruara me garanci për zgjedhjet e ardhshme”, tha zoti Bylykbashi.

Pavarësisht këtyre dallimeve, ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh e inkurajuar. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit politik ajo shkruajti në Twitter seështë gjë e mirë të mësosh se Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore po përparon më shumë. Kam takuar të gjithë anëtarët dhe besoj se ata do të marrin vendime të mençura. Faleminderit që e vendosët të ardhmen e Shqipërisë, të parën”, theksoi ajo.

Zonja Kim është angazhuar personalisht për të shtyrë procesin e reformës zgjedhore. Kjo çështje, ishte ndër të tjera dhe një nga temat e takimit që ajo pati të enjten me kryetarin e parlamentit Gramoz Ruci, ndërsa pak ditë më parë kishte biseduar dhe me kryetarin demokrat Lulzim Basha, i cili kishte shprehur angazhimin e opozitës për përfundimin e reformës brenda 31 Majit.

Ndërsa koha për të përmbyllur reformën, po ngushtohet, është vënë re një intensifikim i angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të shtyrë përpara proçesin. Komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Harvelyi, pati gjatë ditës së enjte një bisedë më kreun e opozitës Lulzim Basha. Përmes një postimi në Twitter ai u shpreh se kishte mirëpritur rifillimin e punës së Këshillit Politik, duke thekuar se "për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt BE-së është themelore që kjo reformë të përmbyllet pa zvarritje të mëtejshme". Zoti Basha nga ana e tij deklaroi se kishte nënvizuar se "vullneti politik është vendimtar si për ta përfunduar reformën, edhe për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira nga shitblerja e votës dhe nga ndikimi i krimit të organizuar".

Në mbrëmje komisioneri Harvelyi, njoftoi se kishte biseduar dhe me deputeten Rudina Hajdari. “Pata një diskutim të mirë sonte me Rudina Hajdarin, në rolin e saj si bashkëkryetare e Komisionit parlamentar ad-hoc për reformën zgjedhore, për të shprehur mbështetje për punën në vazhdim. Reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR-its, është thelbësore për Shqipërinë dhe përparimin në rrugën drejt BE-së”, shkroi komisioneri për Zgjerimin. Gjatë së enjtes dhe kreu i OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt, nxiti palët që “të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG