Lidhje

SHBA, Policia e Parqeve hap hetime mbi trajtimin e gazetarëve


Një demonstrues ndihmon një punonjës të shtypit, të goditur me plumb gome nga policia gjatë protestave.

Policia e Parqeve, një agjenci federale e rendit, njoftoi se dy policë të radhëve të saj do të pezullohen me pagesë, pasi është shfaqur një video ku duket se ata po sulmojnë një ekip gazetaresk australian.

Vendimi u mor të mërkurën, ndërkohë që po atë ditë Unioni Amerikan për të Drejta Civile, një organizatë aktiviste amerikane, tha se kishte ngritur padi për trajtimin e gazetarëve në Mineapolis.

Gazetarët janë sulmuar, arrestuar, penguar në procesin për të mbuluar protestat mbarëkombëtare që shpërthyen pas vdekjes së George Floyd kur po arrestohej në Mineapolis.

Të enjten, organizata Gjurmuesi i Lirisë së Shtypit tha se kishte hetuar rreth 280 incidente, 20 prej të cilave në kryeqytetin, Uashington.

Në rastin e ekipit australian, pamjet e regjistruara nga kanali WJLA-TV News, tregojnë policën e Shërbimit të Parqeve duke shtyrë kameramanin Tim Myers dhe duke ngritur shkopin e gomës për të goditur gazetaren Amanda Brace të Kanalit 7 të hënën.

Incidenti ndodhi kur policia po përpiqej të pastronte zonën që Presidenti Trump të shkonte tek kisha e dëmtuar nga protestuesit në Uashington.

Incidenti po hetohet, tha përmes një deklarate të mërkurën shefi i policisë Gregory Monahan.

“Ne e trajtojmë me seriozitet keqtrajtimin e gazetarëve, ashtu si të gjithë ata që e trajtojnë me seriozitet demokracinë,” tha amdasadori amerikan në Australi, Arthur Culvahouse Jr. përmes një deklarate të martën.

Padi nga Unioni Amerikan për të Drejta Civile

Në përgjigje të sulmeve kundër gazetarëve në Mineapolis, dega e Unionit Amerikan për të Drejtat Civile në Minesota ngriti padi kundër qytetit të Minesotës, Policisë Rrugore të Shtetit dhe Policisë së Qytetit. Gjurmuesi i Lirisë së Shtypit po heton mbi 50 incidente në qytet.

Një nga personat e përfshirë në padi, Jared Goyette, një gazetar i pavarur thotë se e goditën në fytyrë me plumb gome në Mineapolis. Ai shkroi më pas “shtypi është në shenjestër në qytetin tonë”.

“Këto sjellje dhe praktika nga forcat e rendit shkelin Kushtetutën,” shkruante Goyette në ankesë.

Padia kërkon nga gjykata të shpallë veprimet e policëve jokushtetuese dhe të mos u lejojë forcave të rendit të vënë në shenjestër gazetarët, po ashtu në padi kërkohen edhe dëmshpërblime për këto akte.

“Fuqia e popullit i ka rrënjët te aftësia që ka një shtyp i pavarur për të hetuar dhe raportuar lajmet, veçanërisht në kohë të tilla,” thotë përfaqësuesja ligjore e organizatës në një deklaratë.

“Policia po përdor dhunën dhe kërcënimet për ta minuar këtë fuqi dhe ne nuk mund ta lejojmë,” vazhdon përfaqësuesja.

Grupet për të drejtat e medias kanë dënuar sulmet ndaj gazetarëve edhe në qytete të tjera, përfshirë Atlantën, ku dy gazetarë u ndaluan për pak kohë. Gazetarët Haisten Willis dhe Alyssa Pointer, kishin theksuar para ndalimit se ishin punonjës të medias, njofton Associated Press.

‘Nuk ka nevojë’ për pranga

“Në kohët tona, të informacionit dixhital kur ka një numër më të madh se kurrë gazetarësh të pavarur, shpesh kredencialet e gazetarit janë në formë dixhitale dhe kjo është bërë një formë e pranueshme,” thotë Willis që punon si gazetar i pavarur dhe raporton shpesh për gazetën Washington Post. “Nuk ka nevojë për pranga apo për konfiskime,” shton ai.

Të martën në një konferencë për shtyp, guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp tha se i kishte kërkuar komisionerit të Departamentit të Burimeve Natyrore të “analizojë” incidentin me gazetarët Willis dhe Pinter, siç njofton agjencia e lajmeve Associated Press. Policia e Atlantës nuk pranoi të komentonte për agjencinë Associated Press.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG