Lidhje

Chertoff: Rreziku më i madh për SHBA-në, ekstremistët e brendshëm


Ish-Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Michael Chertoff, komenton në një intervistë për situatën në Shtetet e Bashkuara. Duke folur për Ia Meurmeshvilin e shërbimit gjeorgjian të Zërit të Amerikës, zoti Chertoff flet për çfarë duhet bërë që të ulen tensionet, si dhe për shfrytëzimin e situatës aktuale nga fuqi kundërshtare, si Kina dhe Rusia.

Chertoff: Rreziku më i madh për SHBA-në, ekstremistët e brendshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare Michael Chertoff thotë se shkëndija e tensioneve të tanishme ishte arrestimi dhe prangosja e një personi dyshohej se kishte kryer një krim jo të dhunshëm.

"I vendosën prangat dhe për ndonjë arsye që nuk ka fare kuptim, donin ta shtrinin në tokë. Njëri prej policëve vendosi gjurin mbi qafën e individit për 8 minuta, duke shkaktuar vdekjen e tij. Dhe sigurisht ndaj tij tashmë janë ngritur akuza për vrasjen e afrikano-amerikanit që kishte prangosur, duke shkaktuar edhe zemërim tek njerëzit. Në fakt, kemi patur një numër incidentesh gjatë vitit të fundit ku duket se në veçanti afrikano-amerikanët kanë qenë viktima ose të urrejtjes, ose të zemërimit, ose të ndonjë emocioni tjetër të padrejtë që ka përfunduar me vdekjen", tha zoti Chertoff.

Pasi përmend raste të tjera të ditëve të fundit, zoti Chertoff thotë se shumica e komuniteteve të pakicave, dhe të tjerë, janë thellësisht të ofenduar dhe të trazuar nga manifestime të tilla të racizmit, dhe në disa raste, të dhunës nga policia.

"Kjo ndezi realisht demonstratat. Do të thoja se shumica e njerëzve që po marrin pjesë në demonstrata, nuk janë të dhunshëm. Ata po ushtrojnë vërtet të drejtën e tyre për fjalën e lirë dhe po protestojnë. Fatkeqësisht, ekziston një numër i vogël që janë të dhunshëm, që janë provokatorë. Janë ose ekstremistë të djathtë, ose ekstremistë të majtë, dhe dëshirojnë vërtet të nxisnin një konflikt të dhunshëm. Kjo ndodh herëpashere. Ekziston një numër njerëzish që dëshirojnë ta shfrytëzojnë situatën për të plaçkitur. Pra janë këto dy grupime, ekstremistët dhe plaçkitësit, që po krijojnë imazhin e trazirave të dhunshme. Por në fakt, shumica po protestojnë paqësisht", thotë ai.

Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare nuk është dakord me përdorimin e ushtrisë për protestat, pasi ushtria mund të aktivizohet vetëm për raste tepër të veçanta dhe se është vepruar kështu vetëm një ose dy herë gjatë 50 viteve të fundit.

"Kur ka patur rrethana të tilla në të kaluarën, udhëheqësit e vendit kanë dalë dhe kanë folur siç foli tani ish-Presidenti Bush, se 'E kuptoj dhimbjen. Jam i pikëlluar dhe i zemëruar nga ajo që i ndodhi zotit Floyd. Duhet të përmirësohemi.' Dhe shpresoj që Kongresi të punojë për projekt-ligje që do të trajtojnë sjelljen e gabuar të policisë. Kjo do tu jepte demonstruesve ndjesinë se po i dëgjojnë", thotë zoti Chertoff.

Sidoqoftë zoti Chertoff thotë se përgjegjësia më e madhe do të jetë mbi shpatullat e udhëheqësve të komuniteteve, të cilët duhet tu bëjnë thirrje njerëzve ta ngrenë zërin dhe të votojnë njerëzit e duhur për tu përballur me çështje, si pabarazia, urrejtja, paragjykimi dhe reagimi i tepruar policor.

Gjithashtu, në këtë periudhë delikate për Shtetet e Bashkuara, fuqi të huaja, si Rusia dhe Kina, duket se po përfitojnë nga situata. Vetëm pak ditë më parë për shembull, ministri i jashtëm kinez përsëriti fjalët e George Floyd-it "nuk marr dot frymë".

"Nuk befasohem kur mësoj se Rusia dhe Kina po përdorin mediat sociale për rritur tensionet. Nëse kthehemi pas në kohë me nja dy vite, është e qartë se rusët u përpoqën të shkaktonin zemëratë mes lëvizjes 'Black Lives Matter' dhe policisë, me qëllim shkaktimin e dhunës", thotë ai.

Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare thotë se tashmë Kina po përballet me situatën e Hong Kongut dhe se këto zhvillime në Amerikë janë si një dhuratë për të. Autoriteteve kineze, tha ai, u pëlqen së tepërmi të kapen pas ndonjë krize dhe ta përdorin si justifikim për të goditur më tej demokracinë dhe fjalën e lirë. Megjithëse bën thirrje për vigjilencë ndaj aktorëve të huaj në internet që mundohen të hiqen si amerikanë, zoti Chertoff paralajmëron se rreziku më i madh po vjen nga vetë shtetas amerikanë që aderojnë në grupime ekstremiste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG