Shtëpia e Bardhë shprehet se “nuk ka ndryshuar mendje” për sprapsjen e dhunshme të protestuesve javën e kaluar nga parku pranë Shtëpisë së Bardhë, në përgatitje për vizitën e presidentit në një kishë të zonës, ku ai pozoi për gazetarët me biblën në dorë. Komentet i bëri të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany në konferencën për shtyp.
“U përmbahemi këtyre veprimeve,” tha zonja McEnany kur iu drejtua pyetja mbi veprimet e forcave të rendit duke qëlluar, sipas protestuesve, me spraj me djegëse dhe me plumba gome që u kritikuan gjerësisht.
Sekretarja e shtypit tha se vendimi për të zgjeruar perimetrin e sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë u mor pasi u ndez një zjarr i vogël në bodrumin e kishës së Shën Gjonit, pranë Shtëpisë së Bardhë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer kanë bërë thirrje për rihapjen e menjëhershme të parkut.
Ligjvënësit të fuqishëm democratë, në një letër në adresë të presidentit, shprehen se parku “prej shumë kohësh ka qenë një vend ku amerikanët mblidhen dhe ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese lirisht, pranë Shtëpisë së Bardhë”
Demonstruesit në Uashington kanë bashkuar zërat me protestat mbarë kombëtare që kur George Floyd vdiq më 25 maj në Mineapolis, ndërkohë që një polic i bardhë po e mbante të mbërthyer përtokë me gjurin në qafë për afro nëntë minuta, ndërsa ai lutej se nuk merrte dot frymë.
Facebook Forum