Lidhje

Kongresi shqyrton propozimet për reformën në polici


Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, mbërrin në seancën dëgjimore
Philonise Floyd, vëllai i George Floyd, mbërrin në seancën dëgjimore

Vëllai i George Floyd-it, afrikano-amerikanit që vdiq ndërsa ishte ndaluar nga policia, u bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë ligje për të kufizuar përdorimin e forcës ndaj qytetarëve nga oficerët e policisë.

Philonise Floyd u paraqit sot para Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve, për vëllanë e tij që vdiq më 25 maj pasi oficeri Derek Chauvin i vendosi gjurin mbi qafë për gati nëntë minuta, ndërsa Floyd kërkonte ndihmën e nënës së tij dhe u përgjërua se nuk merrte dot frymë. Pamjet e vdekjes së tij shkaktuan protesta mbarëkombëtare dhe thirrje për reforma.

"Nuk mundem t'ju rrëfej dhimbjen që ndjen kur shikon diçka të tillë. Kur shikon vëllanë tënd të madh, të cilin e ke adhuruar tërë jetën, të vdesë. Të vdesë duke u lutur për nënën", tha Philonise Floyd. "Jam i lodhur. Jam i lodhur nga dhimbja që ndiej çdo herë që një afrikano-amerikan vritet pa arsye. Jam këtu që t'ju kërkoj t'i jepni fund. Ndaleni dhimbjen".

Anëtarë të Kongresit amerikan po shqyrtojnë propozimet për reformën e policisë në shkallë vendi, ndërkohë që zyrtarët vendorë dhe ata shtetërorë kanë njoftuar hapa për të ndryshuar fondet dhe autorizimet që lidhen me përdorimin e forcës në departamentet e tyre të policisë.

Demokratët kanë propozuar një paketë reformash që përfshin ndalimet në bazë të profilit racor dhe teknikën e shtrëngimit të qafës, duke e bërë më të lehtë paditjen e policëve në gjykatat civile si dhe krijimin e një baze kombëtare të dhënash që regjistron sjelljet e gabuara të oficerëve. Këtë muaj është planifikuar një votim për këtë reformë.

Udhëheqësit republikanë në Senat kanë ngarkuar senatorin Tim Scott për të drejtuar punën për krijimin e paketës së tyre të propozimeve. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows u tha gazetarëve se ai shpreson që kjo të bëhet sa më shpejt.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili kryeson Komisionin e Senatit për Çështjet Juridike, ka vendosur mbajtjen javën e ardhshme të një seance për përdorimin e forcës nga ana e policisë.

Në kushtet kur demokratët dhe republikanët kontrollojnë secila palë njërën prej dhomave të Kongresit dhe kur Presidenti Donald Trump ka vazhduar të theksojë nevojën për "ligj dhe rend" në atmosferën e protestave, nuk ka gjasa që palët të bien dakord për të gjitha propozimet, megjithatë ekziston terreni i përbashkët.

Në shtete si Kalifornia apo qytete si Denver, Mineapolis dhe Finiks, tashmë janë ndëmarrë masa të tilla siç është ndalimi i teknikës policore të shtrëngimit të qafës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG