Lidhje

Presidenti analizon masa në përgjigje të kërkesave të protestuesve


Presidenti Donald Trump do të takohet me udhëheqës fetarë, zyrtarë të forcave të rendit dhe pronarë të bizneseve të vogla të enjten në Dallas të Teksasit, ndërkohë që po analizon se çfarë masash do të marrë në përgjigje të protestave mbarëkombëtare që pasuan vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit.

Shtëpia e Bardhë tha në një tryezë të rrumbullakët se do të shqyrtonte “zgjidhje për dallimet ekonomike, shëndetësore dhe në zbatimin e drejtësisë që kanë ekzistuar historikisht në komunitetet amerikane”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany tha për gazetarët të mërkurën se po analizohen zgjidhje si përmes nismave legjislative, ashtu edhe përmes urdhrave ekzekutive dhe se administrata shpreson të njoftojë nismat e reja “brenda pak ditësh”.

Presidenti nuk mbështet propozimin për të ndryshuar të ashtu-quajturën doktrinë e imunitetit cilësor që ndihmon për të mbrojtur policët nga padi në gjykatë.

“Kjo e bën propozimin e demokratëve të papranueshëm,” tha zëdhënësja McEnany.

Udhëheqësit në Dhomën e Përfaqësuesve të kryesuar nga demokratët kanë propozuar projektligje për të reformuar ligjet mbi forcat policore, me synimin për të rritur llogaridhënien nga policia, për të regjistruar sjelljen e policëve gjatë karrierës përmes një regjistri kombëtar dhe për t’u dhënë fund praktikave të pajisjes së reparteve policore me mjete që përdoren nga ushtria.

Senati i kontrolluar nga republikanët po punon për një nismë tjetër legjislative dhe do të fillojë seanca me pyetje përgjigje javën e ardhshme.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin zhvilloi të mërkurën një sancë dëgjimore të mërkurën, duke u bërë thirrje ligjvënësve të miratojnë masa që kufizojnë përdorimin e forcës nga policia.

Udhëheqës lokalë e shtetërorë kanë marrë masa për të ndryshuar situatën, duke ndalur përdorimin e kontrollit të individit të dyshuar me shtrëngim në qafë, duke u zotuar se do të heqin fonde nga buxheti i policisë dhe do t’i kalojnë në programet për komunitetin. Po ashtu administratat lokale kanë krijuar komisione për të rishikuar ankesat për shkelje nga ana e policëve.

Të mërkurën protestat vazhduan në pjesën më të madhe në mënyrë paqësore.

Në pjesën veriperëndimore të vendit, në qytetin Siatëll demonstruesit protestuan në mënyrë paqësore, pas incidenteve me përleshje mes demonstruesve dhe policisë në ditët e para të grumbullimeve.

Presidenti Trump i quajti “terroristë të brendshëm” protestuesit në Siatëll të mërkurën në një postim në Twitter ku përsëriti frazën “LIGJI & RENDI!” dhe kërcënoi se do të përdorte masa federale. Ai gjithashtu kritikoi udhëheqësit bashkiakë e shtetërorë.

“Merrni nën kontroll qytetin TANI. Nëse nuk e bëni, do ta bëj unë. Kjo s’është lojë,” shkruante presidenti.

Krybashkiakja e Siatëllit, Jenny Durkan u përgjigj po në Twitter “Na garanto sigurinë. Kthehu në bunker. Jetët e Afrikano-Amerikanëve Janë të Vyera”.

Ndërkaq, në qytetin Bafolo të Nju Jorkut, Kryebashkiaku Byron Brown njoftoi se ka krijuar Njësinë e Mbrojtjes Publike për të zëvendësuar Ekipin e Përgjigjes Emergjente. Pjesëtarë të këtij ekipi u kapën në kamera duke shtyrë një protestues 75-vjeçar që përfundoi në spital. Po ashtu autoritetet në Bafolo njoftuan se do të ndalin arrestimin e personave nën moshë për akte jo të dhunshme si për konsum apo zotërim marijuana dhe do t’i bëjnë më të disponueshme videot nga kamerat në uniformat e policëve.

Kampionati i famshëm i garave me makina NASCAR njoftoi se nuk do të shpalosë më flamurin e Konfederatës, një simbol i Luftës Civile amerikane të viteve 1860.

Shumë amerikanë e shohin flamurin si simbol i shtypjes dhe diskriminimit racor dhe si kujtesë e skllavërisë. Flamuri vazhdon të valëvitet me krenari në shumë zona të jugut amerikan, ku njerëzit nderojnë kujtimin e atyre që vdiqën duke luftuar për Konfedeeratën në luftën me Unionin amerikan.

“Prania e flamurit të Konfederatës në aktivitetet e NASCAR bie ndesh me zotimin tonë për të ofruar një mjedis mikpritës dhe gjithëpërfshirës për të gjithë tifozët, konkurrentët dhe industrinë tonë,” thotë organizata në një deklaratë.

Protestuesit në kryeqytetin e Virxhinias, Riçmond, dikur kryeqytet i shteteve të Konfederatës gjatë Luftës Civile, rrëzuan të mërkurën një statujë të Jefferson Davis, president i Konfederatës.

Po të mërkurën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi bëri thirrje për heqjen e 11 statujave të figurave të Konfederatës që ndodhen në mjediset e Kongresit, përfshirë një të Jefferson Davis, zëvendësit të tij, Alexander Stephens dhe udhëheqësit ushtarak të Konfederatës, Robert E. Lee.

Janë shtuar thirrjet për të ndryshuar emrat e shumë bazave amerikane që kujtojnë udhëheqës ushtarakë të Konfederatës. Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper dhe Sekretari i Forcave të Armatosura, Ryan McCarthy kanë sinjalizuar se janë të hapur ta diskutojnë këtë ide, por presidenti ka dalë haptazi kundër.

“Administrata ime nuk do ta hapë për diskutim ndryshimin e emrave të këtyre objekteve të mrekullueshme ushtarake. Historia jonë si Vendi më i Madh në Botë nuk do të nëpërkëmbet. Respektoni Ushtrinë!”.

Ndërkaq një komision i Senatit ka miratuar një amendament që synon të heqë emrat e ushtarakëve të Konfederatës nga bazat amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG