Lidhje

Çfarë nënkupton slogani "Pezulloni Fondet e Policisë"?


Vdekjet e fundit të afrikano-amerikanëve pas veprimeve të forcave të rendit kanë rindezur debatin për rolin e policisë në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa demonstratat vazhdojnë për të tretën javë, janë shtuar thirrjet mes protestuesve për të "hequr fondet për policinë". Koncepti i heqjes së fondeve për policinë ka krijuar konfuzion.

Të indinjuar nga vdekja e George Floyd-it dhe amerikanëve të tjerë me ngjyrë gjatë ballafaqimit me policinë, një numër në rritje i protestuesve po bëjnë thirrje për shpërbërjen e sistemit aktual të policisë në Shtetet e Bashkuara.

"Policia merr miliarda e miliarda dollarë në mënyrë që të brutalizojë komunitetet e pakicave, konkretisht komunitetet me ngjyrë, që është plotësisht e padrejtë. Është shtypje. Është racizëm i pastërt", thotë një protestuese.

Me fjalët "hiqni fondet e policisë" që po bëhet një parrullë kryesore në protesta, ka një debat në rritje mbi domethënien e saj. Përkufizimi në fjalor është "të tërheqësh fonde."

Por disa mbrojtës thonë se nuk bëhet fjalë për eliminimin e departamenteve të policisë, por heqjen e fondeve nga ajo që ata e konsiderojnë një forcë të militarizuar - e akuzuar për racizëm.

"Kjo do të thotë të sigurohemi që burimet që i japim policisë të mund të shpenzohen më mirë për shëndetin publik dhe punonjësit socialë dhe shërbimet publike që komunitetet tona kanë aq shumë nevojë - në vend që t’i jepen policisë e cila vepron kryesisht në shumë mënyra me anë të dhunës", thotë një tjetër protestuese.

Por jo të gjithë protestuesit pajtohen me sloganin e gjerë.

"Do të preferoja të largojmë të këqinjtë dhe të sjellim të mirët. Dua të jem në gjendje tu telefonojë në se më nevojiten”, thotë Beverly Hill, banore e Merilendit.

Megjithatë, lëvizja po fiton vrull. Zyrtarët e Los Anxhelesit dhe Nju Jorkut kanë premtuar se do të shkurtojnë buxhetet e tyre për policinë. Këshilli i Qytetit në Mineapolis, ku vdiq Floyd, është zotuar të shpërndajë departamentin e policisë.

"Angazhimi ynë është t'i japim fund marrëdhënieve toksike të qytetit tonë me Departamentin e Policisë në Mineapolis, t'i japim fund policisë ashtu siç e njohim", thotë Lisa Bender, president e Këshillit të qytetit.

Kjo praktikë është bërë më parë. Përkrahësit tregojnë shembullin e Kamden në Nju Xhersi - për vite të tëra konsiderohej si një nga qytetet më vdekjeprurëse në Shtete e Bashkuara-ata shpërndanë dhe rindërtuan të gjithë departamentin e policisë në 2013. Shkalla e dhunës dhe e krimit është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme qysh atëherë.

Një reformë e tillë e madhe kërkon vetëm një imazh të ri të guximshëm të status quo-së, thotë profesori Justin Hansford.

"E njëjta gjë me ndarjen, disa njerëz menduan," a është kjo mënyra jonë e të jetuarit. A nuk është më mirë të jemi të ndarë? Kemi qenë kështu për dekada.

"Por ne ishim në gjendje të luftojmë kundër ndarjes. Dhe në mënyrë të ngjashme, mendoj se sot me policinë, ideja e heqjes së saj, na nxit të mendojmë për ta zëvendësuar atë me një sistem më të mirë".

Por kundërshtarët thonë se qasja "një model për të gjitha" për reformën policore është një ide e gabuar.

"Nëse udhëheqja ka dështuar, menaxhmenti ka dështuar, nga ana kulturore, departamenti nuk u ka shërbyer siç duhet banorëve të tij. Po, duhet të rindërtohet, ose ristrukturohet. Por thjesht të themi, do ta shpërbëjmë? Atëherë cili është plani? Jo të gjitha departamentet e policisë janë krijuar njësoj. Nuk mund të ketë një formulë", thotë James Craig, shefi i policisë së Detroidit.

Me ligjvënësit që vëzhgojnë teksa kërkesat për ristrukturimin e policisë në Amerikë intensifikohen, lëvizja ka të ngjarë të jetë një çështje e nxehtë në një vit zgjedhor tashmë të polarizuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG