Lidhje

Tiranë: Vazhdojnë polemikat për reformën zgjedhore, edhe pas marrëveshjes në Këshillin Politik


Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore zhvilloi sot një mbledhje informuese mbi marrëveshjen e Këshillit Politik më 5 qershor.

Përfaqësuesi i shumicës socialiste, Damian Gjiknuri, tha se një pjesë e anëtarëve të opozitës nuk e njohin Këshillin Politik.

“PS do të bëjë gjithçka që reforma e dakordësuar të miratohet në Kuvend. Shpresoj se do të ketë reflektim dhe se deri në fund të arrihet marrëveshje. Kjo paketë është në dobi të shqiptarëve dhe një kërkesë për integrimin europian” - tha zoti Gjiknuri.

Por deputetë të opozitës parlamentare po kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Deputetja Rudina Hajdari tha pas takimit se partitë politike nuk duhet të kenë frikë ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe nga listat e hapura.

“Opozita parlamentare u anashkalua nga marrëveshja. Anashkalimi ka sjellë një tension të lartë. Duhej trajtuar hap pas hapi çdo lloj pike e asaj marrëveshje. Ne kemi votat dhe do ta çojmë deri në fund në Kuvend. Është betejë e qytetarëve shqiptarë që të përfaqësohen denjësisht në Kuvend. Partitë politike nuk duhet të kenë frikë nga hapja e listave e ndryshimit të sistemit” - tha zonja Hajdari.

Ndërkaq, 29 deputetë të opozitës depozituan në Kuvend një draft për rishikimin e Kushtetutës mbi listat e hapura dhe për zonat zgjedhore.

“Mirëpresim maxhorancën dhe faktorin politik të diskutojnë këtë reformë zgjedhore. Drafti që sot depozituam në Kuvend parashikon ndryshimin e Kushtetutës për hapjen e listave, sistemin zgjedhor, pragu elektoral, koalicionet parazgjedhore apo pas zgjedhore”, - tha deputeti i opozitës Myslim Murrizi.

Një grupim deputetësh të partive opozitare parlamentare dhe joparlamentare u takuan po sot me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.

Ai i nxiti politikanët të mbështetin zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në procesin e reformës zgjedhore, ndërsa më shumë u diskutua përfshirja e medias në fushatë dhe te financimi i fushatave zgjedhore.

Ambasadori Borchardt tha se shpenzimet e fushatave duhet të mbeten të kufizuara dhe se ligji duhet të garantojë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbikëqyrë dhe të sigurojë zbatimin e ligjit për financimin e partive dhe të fushatave.

Ndërsa për shtypin ai tha se mediat duhet të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e subjekteve zgjedhore garuese, me qëllim kufizimin e përdorimit të kronikave të prodhuara nga vetë partitë politike në edicionet e lajmeve dhe për të shmangur keqorientimin e zgjedhësve. Në çdo rast që media përdor materiale të prodhuara nga partitë politike, ato duhet të etiketohet qartësisht si të tilla”, - tha ai.

Zoti Borchardt shtoi se “të gjitha partitë garuese në zgjedhje duhet të kenë akses të barabartë në media. Mund të shihet, gjithashtu, mundësia për t’u dhënë të gjitha subjekteve zgjedhore një kohë të caktuar falas”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG