Lidhje

Mineapolis, një grup policësh largohen nga puna


FILE - Minneapolis police officers stand in a line facing protesters demonstrating against the death of George Floyd, outside the 3rd Police Precinct in Minneapolis, Minnesota, May 27, 2020.

Shtatë oficerë të policisë në Mineapolis lanë punën pasi e ardhmja e gjithë departamentit të policisë së qytetit është e pasigurt pas vdekjes së George Floyd.

Është e paqartë nëse largimi i tyre ka ndonjë lidhje direkt me Floyd-in.

Departamenti dërgoi një deklaratë në stacionin radiofonik WCCO të Mineapolisit ku thuhet: "Njerëzit kërkojnë të lënë punën për një mori arsyesh. Departamenti i policisë së Mineapolisit nuk përjashtohet. Nuk shohim ndonjë tregues se këto largime do të ndikojnë në sigurinë publike".

Por disa oficerë i thanë gazetës Minneapolis Star Tribune se janë të zemëruar nga vendimi i kryetarit të bashkisë, Jacob Frey për të braktisur zonën e tretë të qytetit gjatë protestave dy javë më parë.

Oficerët u urdhëruan të largoheshin nga ajo pjesë e qytetit dhe shtëpia e tyre në zonë u dogjën.

"Nëse do të vendosnim të vazhdonim të qëndronim në zonën e 3-të, ka shumë të ngjarë që do të kishte luftime kokë më kokë, që mund të sillnin dëmtime të mundshme serioze dhe ndoshta vdekje, dhe në vendimin mes një ndërtese dhe jetës apo vdekjes, kemi vendosur të largohemi", tha bashkiaku Frey.

Të 12 anëtarët e këshillit të qytetit thanë në një rezolutë javën e kaluar se ata synojnë të eliminojnë departamentin e policisë së qytetit dhe ta zëvendësojnë atë me një "model të ri transformues për kultivimin e sigurisë" në qytet - hollësitë e të cilit nuk janë të qarta.

14 oficerë policie, që thonë se po flasin për qindra të tjerë në departamentin e policisë, kanë shkruar një letër të hapur për banorët e Mineapolisit, duke dënuar policin që mbajti gjurin e tij në qafën e George Floyd-it për gati nëntë minuta, i cili dyshohet se kontribuoi në vdekjen e Floyd-it.

"Ne e dënojmë me gjithë zemër Derek Chauvin. Ne jemi me Ju në denoncimin e veprimeve të Derek Chauvin në Ditën e Përkujtimit, më 24 maj, 2020. Ashtu si ne, Derek Chauvin u betua për të ruajtur si të çmuar jetët e njerëzve. Derek Chauvin dështoi si njeri dhe i hoqi George Floyd dinjitetin dhe jetën. Kjo nuk është ajo që jemi ne”, thuhet në letër.

Chauvin është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë dhe tre oficerë të tjerë për ndihmë dhe bashkëpunim.

Gjithashtu në Mineapolis, departamenti i parqeve të qytetit thotë se nuk ka në plan të rregullojë një shenjë në një park të qytetit të cilin një person anonim e ndryshoi për nder të George Floyd-it.

Shenja në hyrje të Parkut George Todd - që mban ermin e një ish bashkiaku të qytetit - tani lexon "Parku George Floyd" me një suvatim mbi emrin Todd.

Parku i qytetit është rreth pesë kilometra në jug të vendit ku vdiq Floyd.

Në Seattle, Shefja e Policisë Carmen Best thotë se shpreson që oficerët të kthehen në një pjesë të qytetit të marrë nën kontroll nga protestuesit paqësorë, pa përdorur "diçka që përfundon në një situatë force".

Shefja Best u shfaq në televizionin CBS të dielën.

Protestuesit antiracistë kanë pushtuar në mënyrë paqësore një pjesë me katër blloqe të qytetit, të cilën e kanë quajtur "Zona Autonome". Organizatorët thonë se duan një lagje pa polici. Një mural i madh "Black Lives Matter" mbulon zonën kryesore të qytetit.

Presidenti Donald Trump i ka quajtur pushtuesit "anarkistë të pakëndshëm" dhe tha se qyteti duhet "të marrë përsëri nën kontroll" zonën.

Por kryetarja e bashkisë Jenny Durkan javën e kaluar e krahasoi zonën me "një atmosferë feste" që nuk përbën asnjë kërcënim për publikun, por tha se do të rikthehet nën kontollin e qytetit në një kohë të caktuar.

Një artikull i gazetës Chicago Sun Times thotë se 75% e të arrestuarve për shkeljen e një ndalim-qarkullimi në të gjithë qytetin të imponuar gjatë protestave pas vdekjes së Floydit ishin afrikano-amerikanë. Ndalim-qarkullimi përfundoi më 7 qershor.

Një zëdhënës i policisë së Çikagos mohoi që raca të kishte ndonjë lidhje me arrestimet, duke thënë se zbatimi i ndalim-qarkullimit ishte "universal" dhe zbatohej në mënyrë të barabartë në të gjitha lagjet.

Marshimet kundër racizmit të frymëzuara nga vdekja e George Floyd-it vazhduan gjatë gjithë fundjavës në disa qytete të mëdha evropiane.

Demonstruesit në Berlin formuan një zinxhir nëntë kilometra të gjatë që filloi në Portën e Brandenburgut.

Protestuesit në Milano shkruan me bojë fjalët "përdhunues" dhe "racist" në një statujë për të nderuar gazetarin e ndjerë italian Indro Montanelli i cili dikur kishte pranuar se ishte martuar me një vajzë 12-vjeçare në Eritrea, kur ishte koloni italiane më shumë se 80 vjet më parë.

Në Paris, ishte policia që protestoi kundër atyre që thotë se janë akuza të padrejta për racizëm dhe brutalitet.

Rreth 50 oficerë dhe makina policie rrethuan Arkun e Triumfit, pasi 15,000 njerëzve demonstruan në kryeqytetin francez.

Kryeministri Boris Johnson tha të dielën se "dhuna racore" nuk ka vend në rrugët e Britanisë pasi ekstremistët e krahut të djathtë sulmuan protestuesit kundër racizmit. Rreth 100 persona u arrestuan.

Kryetari i bashkisë së Londrës Sadiq Khan fajësoi vetëm dhunën e të djathtëve dhe falënderoi policinë që bëri një "punë fantastike" në rivendosjen e rendit.

Gjithashtu të dielën, qindra vetë marshuan në Tokio, duke mbajtur pankartat me sloganin "Black Lives Matter".

Mijëra njerëz demonstruan gjithashtu të dielën në Zelandën e Re dhe mbajtën një moment heshtjeje në gjunjë për George Floyd përpara konsullatës amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG