Lidhje

Oakland, dhuna policore dhe përpjekjet për ndryshime


Ndërsa protestat kundër dhunës policore vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara, banorët po analizojnë rolin e forcave të tyre lokale të policisë. Kjo po ndodh në Oakland të Kalifornisë, vendlindjes e organizatës Panterat e Zi në vitet 1960 dhe vendi ku shtatë vjet më parë filloi të përdorej slogani "Black Lives Matter" (Jetët e Afrikanoamerikanëve kanë Rëndësi). Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn njofton se si metodat e policisë janë ende një çështje kontestuese në këtë qytet me më shumë se 400,000 banorë.

John Jones III nuk do të marrë pjesë në protestat kundër dhunës së policisë që zhvillohen pothuajse çdo ditë në Oakland, edhe pse ai mbështet mesazhin e protestuesve. Jones u dënua në një rast vrasjeje në moshën 16 vjeçare dhe shkoi në burg.

Tani 46 vjeç dhe një aktivist i komunitetit, ai thotë se ai duhet të jetë i kujdesshëm në këto situata. John Jones III, aktivist i komunitetit "Janë shumë nxitëse jo vetëm këto imazhe, por edhe të gjitha gjërat që kam përjetuar."

Por, Jones shpreson se vëmendja aktuale në përdorimin e forcës nga policia do të sjellë më shumë vëmendje në mënyrën se si përdoret ajo forcë. Ai përmend komisionin e policisë së qytetit, një bord qytetarësh jo i zgjedhur, i krijuar në vitin 2016.

Në një vendim të përbashkët me kryebashkiakun e Oaklandit, komisioni pushoi nga puna së fundmi shefin e policisë. John Jones III, aktivist i komunitetit "Kjo e shndërron komisionin policor nga një organ simbolik përfaqësimi në një entitet me pushtet real", tha zoti Jones.

Oaklandi ka një histori të gjatë konfliktesh midis një pjese të komunitetit dhe policisë. Qyteti është qendër e organizatës Panterat e Zi, krijuar në vitet 1960, për të monitoruar veprimtarinë e policisë në komunitetin e afrikano-amerikanëve.

Pas vdekjes së një të riu më 2009, qyteti shpërtheu në disa javë protestash. Në vitin 2013, një aktivist në Oakland prezantoi sloganin "Black Lives Matter", Jetët e Afrikano-Amerikanëve kanë Rëndësi.

Me protestat në mbarë qytetin javët e fundit, më shumë banorë të Oaklandit po i kushtojnë vëmendje veprimeve të policisë lokale dhe po pyesin se çfarë duhet të bëhet më shumë.

"Ne jemi këtu për të shprehur solidaritet dhe qëndrimin tonë kundër brutalitetit të policisë. Kjo ka ndodhur që kur gjyshërit e mi ishin gjallë dhe ne ende po përballemi me të njëjtat gjëra", thotë protestuesja Tamara Lawrence.

Komisioni i policisë ka bërë disa ndryshime. Në vend që të pyesin shoferët gjatë kontrolleve nëse janë në lirim me kusht, që mund të tensionojë një person, policia e Oaklandit tani është udhëzuar të bëjë pyetje më neutrale, për shembull "Si jeni?"

"Kjo e bën më njerëzor angazhimin fillestar. Pra, krijon një raport të ndërsjellë", thotë Regina Jackson, kryetare e Komisionit të Policisë në Oakland.

Disa protestues po bëjnë thirrje për pezullimin e fondeve të policisë së Oaklandit, një slogan i përsëritur në protestat në mbarë vendin. Në një qytet, ku 10 njerëz u vranë javën e kaluar, është e vështirë që një hap i tillë të mbështetet nga politikëbërësit e Oaklandit, thotë Bruce Donelan, president i Shoqatës së Oficerëve të Policisë së Oaklandit.

"Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me zgjedhjen e një rruge, ku ne braktisim viktimat e krimit të dhunshëm në këtë qytet në përpjekjet për të zgjidhur një çështje duhet të trajtohet", tha Bruce Donelan, President i Shoqatës së Oficerëve të Policisë së Oaklandit.

Për udhëheqësit e qytetit, të gjitha vendimet janë një formë kompromisi. "Nëse shkurtimet e fondeve për policinë e qytetit të Oaklandit do të dëmtonin aftësinë tonë për të hetuar krime të rënda dhe të dhunshme, atëherë përgjigjja është jo, nuk do ta bëjmë atë", tha Dan Kalb, anëtar i Këshillit të Qytetit të Oaklandit.

Megjithatë, nëse shpërbërja e forcës policore nuk ka të ngjarë të realizohet, udhëheqësit e qytetit dhe aktivistët e komunitetit thonë se kërkojnë nga komisioni që të përqëndrohet në çështjet e policisë, duke shqyrtuar metodat e angazhimit të saj.

"Oaklandi nuk është i veçantë. Ne kemi patur mjaft ndikime të tmerrshme. Çfarë duhet të ndryshojmë për shkak të tyre? Në këtë pikë mund të angazhohet komisioni ynë", tha Regina Jackson, kryetare e Komisionit të Policisë në Oakland.

Aktivisti John Jones dëshiron që protestuesit të kenë vëmendjen tek këto çështje edhe pasi të mbarojnë marshimet. "Të gjithë ne duhet të ngrejmë kolektivisht zërin tonë dhe të themi se kjo nuk më përfaqëson mua. Ky nuk është një problem i afrikano-amerikanëve ose njërzve të tjerë me ngjyrë por një problem njerëzor", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG