Lidhje

Protestat në SHBA, ndikimi te mediat dhe industria e argëtimit


2019 MET Museum Costume Institute Benefit Gala
2019 MET Museum Costume Institute Benefit Gala

Vdekja nën arrest e afrikano-amerikanit George Floyd dhe protestat që pasuan në Shtetet e Bashkuara kundër dhunës së policisë dhe racizmit sistemik kanë shkaktuar reagime në të gjithë median, industrinë e argëtimit dhe atë sportive.

Redaktorja e Vogue, Anna Wintour, është në qendër të kritikave pas akuzave për racizëm në revistën e modës.

Wintour më vonë kërkoi falje, duke thënë se ajo nuk bëri sa duhet për të ngritur zërin e personelit të saj afrikano-amerikan, ndërsa në të kaluarën ka publikuar imazhe dhe histori që ishin "të dëmshme ose intolerante" nga pikëpamja racore dhe kulturore.

"Ajo mendon se kjo është e drejtë e saj. Unë mendoj se ajo kurrë nuk do të lejojë asgjë të pengojë privilegjin e saj të një gruaje të bardhë", tha ish-redaktori i revistës Vogue, Andre Leon Tally.

Kritikat pasojnë një email drejtuar personelit nga zonja Wintour, e cila ka punuar në Vogue për më shumë se tre dekada, në të cilin mes tjerash thuhet, "nuk mund të jetë e lehtë të jesh një punonjës afrikano-amerikan në Vogue dhe jeni një numër shumë i vogël. E di që nuk është e mjaftueshme të themi se do të bëjmë përmirësime në këtë aspekt, por ne do ta bëjmë këtë."

Darnell Hunt është dekan i fakultetit të shkencave shoqërore në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles.

"Për një kohë shumë të gjatë, unë mendoj se jemi angazhuar në biznes të zakonshëm dhe kemi publikuar artikuj dhe imazhe që nuk kanë avancuar axhendën e njerëzve me ngjyrë dhe grupeve të tjera të margjinalizuara në këtë vend. Prandaj, unë mendoj se njerëzit që po prostestojnë në të gjithë vendin, jo vetëm ata me ngjyrë, por edhe të tjerët janë thjeshtë të ngopur dhe e kuptojnë që ne kemi arritur në këtë moment kritik. Tani është koha që njerëzit ose të bëjnë diçka domethënëse ose të largohen”.

Disa industri kanë filluar të marrin masa. Revista amerikane Harper's Bazaar së shpejti do të ketë kryeredaktorin e parë afrikano-amerikan në historinë e saj 153-vjeçare.

Kompania PepsiCo po tërheq markën e pekmezit 131-vjeçar Aunt Jemima, duke thënë se kompania e kupton që origjina e personazhit të përdorur në shishet e këtij produkti është e "bazuar në një stereotip racor". Kompania amerikane njoftoi gjithashtu një iniciativë pesë-vjeçare prej 400 milionë dollarësh "për të ndihmuar komunitetet e afrikano-amerikanëve dhe për të rritur përfaqësimin e tyre", në radhët e saj.

"Unë shpresoj që ky reflektim do t'i bëjë njerëzit që ta shikojnë nga një pikëpamje tjetër shoqërinë, mënyrën se si ata bëjnë biznes dhe ecin përpara, duke u siguruar që ata janë në anën e duhur të historisë, duke punuar në mënyrë aktive për të përfshirë gratë dhe njerëzit me ngjyrë në këto vendime të rëndësishme", tha Darnell Hunt, dekan në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles.

Në sport, Komisioneri i Ligës Kombëtare të Futbollit amerikan, Roger Goodell i cili javën e kaluar u kërkoi falje lojtarëve për injorimin e shqetësimeve të tyre për racizmin, vendosi të ndajë 250 milionë dollarë për këtë çështjen gjatë 10 viteve të ardhshme.

"Ne, Liga Kombëtare e Futbollit, dënojmë racizmin dhe shtypjen sistematike të afrikano-amerikanëve", tha ai.

Në industrinë e televizionit dhe filmit në Shtetet e Bashkuara, pushimi i katër aktorëve të serialit "Vanderpump Rules", caktimi i një afrikano-amerikani në rolin kryesor në emisionin "Bachelor", dhe premitmi për diversitet dhe gjithëpërfshirje nga Akademia e Arteve Motion Pictures tregojnë një ndërgjegjësim të ri rreth problemeve racore dhe një premtim për të përmirësuar gjendjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG