Lidhje

Plani për tërheqjen e forcave amerikane lë në hije stërvitjen e NATO-s


Mijëra trupa amerikane po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore. Një pjesë e trajnimit po zhvillohet në Poloni, vetëm 350 kilometra larg enklavës ruse të Kaliningradit, ndërsa stërvitjet detare po zhvillohen gjithashtu në Detin Baltik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra se ky demonstrim force është lënë në hije nga njoftimi i Uashingtonit se planifikon të tërheqë mijëra forca ushtarake nga Gjermania - ku Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur baza të përhershme që nga Lufta e Dytë Botërore.

Plani për tërheqjen e forcave amerikane lë në hije stërvitjen e NATO-s
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

'Defender Europe 20' - që po zhvillohet në Evropën Lindore - ishte menduar të ishte stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë që nga Lufta e Ftohtë. Por, pandemia e koronavirusit ka sjellë një reduktim të madh.

Para goditjes së pandemisë në mars, më shumë se gjashtë mijë ushtarë amerikanë dhe tre mijë pajisje ushtarake kishin mbërritur tashmë në Evropë.

"Një stërvitje e kësaj madhësie ishte akoma e arritshme edhe me pandeminë, pasi të gjitha masat e sigurisë ishin marrë para stërvitjes", thotë Kapiten Robin Joseph Haake, nga sektori i marrëdhënieve me publikun të Divizionit të 49-të.

Edhe ndërsa forcat e përbashkëta demonstrojnë fuqinë e zjarrit të NATO-s, problemet po rriten brenda aleancës.

Administrata Trump ka kritikuar shpesh Gjermaninë për mos përmbushjen e objektivit të shpenzimeve për mbrojtjen e NATO-s për dy përqind të PBB-së. Presidenti këtë javë njoftoi planet për të tërhequr mijëra trupa të stacionuar përgjithmonë në vend.

"Ne kemi 52'000 ushtarë në Gjermani, kjo është një sasi e jashtëzakonshme ushtarësh, është një kosto e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë pasi ju e dini që është shumë e prapambetur në pagesat e saj për NATO-n", tha Presidenti Trump.

Pentagoni thotë se zakonisht ka rreth 35-mijë trupa amerikane në Gjermani. Në Berlin është thënë se numri do të bjerë në 25 mijë.

"Ne mendojmë se prania amerikane në Gjermani është e rëndësishme për sigurinë jo vetëm të Gjermanisë, por edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara", tha Heiko Maas, Ministri i Jashtëm gjerman.

Polonia - e cila gëzon marrëdhënie të mira me Uashingtonin - ka një plan alternativ.

"Shpresoj thellësisht se si rezultat i bisedimeve të shumta që kemi pasur, dhe ngaqë kemi treguar se çfarë partneri i fortë jemi brenda NATO-s, se ajo pjesë e trupave të vendosura sot në Gjermani, të cilat po hiqen nga Shtetet e Bashkuara, do të vijnë realisht në Poloni dhe do të forcojnë krahun lindor të NATO-s", tha Mateusz Morawiecki, Kryeministri i Polonisë.

Baza amerikane në Stuttgart është gjithashtu selia e Komandës Amerikane të Afrikës, vëren analisti Ian Bond.

“Bazat në Gjermani i shërbejnë një qëllimi jo vetëm jashtë Gjermanisë, por edhe jashtë Evropës. Dhe kjo është diçka që do të ishte një humbje serioze. Por sigurisht, për sa i përket efektit parandalues, roli që ata luajnë brenda NATO-s në aspektin e gatishmërisë së mbrojtjes të NATO-s përballë Rusisë, po, ato janë të rëndësishme, dhe humbja do të ndihet", thotë zoti Bond, i Qendrës për Reformën Evropiane.

Analistët thonë se ndikimi i plotë nuk do të dihet derisa të sqarohet saktësisht se cili personel ushtarak do të largohet nga Gjermania.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG