Lidhje

Ligjvënësit, "të revoltuar" nga shkarkimet e shefit të ri ekzekutiv të USAGM


Dy ligjvënës amerikanë thanë të enjten se “janë të revoltuar” nga shkarkimet e drejtuesve të rrjeteve transmetuese të Agjencisë së Sheteve të Bashkuara për Median Globale, USAGM, nga shefi i saj i ri ekzekutiv, Michael Pack. Agjencia përfshin edhe Zërin e Amerikës, drejtoresha e së cilit dha dorëheqjen të hënën.

Zoti Pack shkarkoi drejtuesit e Rrjeteve për Transmetim në Lindjen e Mesme, të Radios Azia e Lirë, Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, të Zyrës së Transmetimeve në Kubë dhe të Fondit për Teknologji të Hapur.

Ligjvënësja Nita Lowey, kryetare e Komisionit të Akordimit të Fondeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Ligjvënësi Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Dhomës për Marrëdhënie me Jashtë, të dy demokratë, thanë në një deklaratë të përbashkët se “fakti që zoti Pack mori këtë masë drastike në javën e parë në detyrë është shokues; jemi shumë të shqetësuar që ai po merr drejtimin e një agjencie me rol kritikme synimin për t’u dhënë përparësi tekave politike të administratës Trump mbi rolin për mbrojtjen dhe nxitjen e raportimit të pavarur, i cili është shtyllë e lirisë dhe e demokracisë”.

Agjencia e lajmeve Associated Press shkruante se zoti Pack nuk dha shpjegime specifike për shkarkimet, duke thënë vetëm se po vepronte me autoritetin e postit si shefi i ri ekzekutiv i USAGM.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën.

Edhe Senatori Bob Menendez, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë kritikoi veprimet e zotit Pack, duke paralajmëruar se shkarkimet mund të minojnë pavarësinë e USAGM.

“Zoti Pack ka realizuar një shkarkim në grup, duke hequr krerët e rrjeteve, duke shkrirë bordet drejtuese të këtyre organizatave, vetëm që t’i zëvendësojë ata me emërime politike të pakualifikuar, që do të minojë në thelb misionin dhe punën e organizatës. Tani është e qartë përse Shtëpia e Bardhë e donte me ngulm zotin Pack, në mënyrë që ta transformojnë agjencinë në altoparlantin e tyre personal,” tha zoti Menendez në hapje të një seance me pyetje përgjigje të komisionit të enjten, lidhur me përgjigjen ndaj COVID-19.

“Kjo është një goditje që mund të mos riparohet kurrë. Kur shkatërrohet kredibiliteti, askush nuk do të besojë më raportimet e Radios Evropa e Lirë, Radios Martí, apo produktet e Fondit për Teknologji të Hapur”.

Ligjvënësit Lowey dhe Engel thane se zoti Pack i zëvendësoi bordet drejtuese “me borde të reja të përbëra nga ai vetë, shefi i tij i stafit, persona të emëruar nga administrata Trump dhe këshilltari i lartë i një organizate, të cilën Qendra Jugore Juridike për Varfërinë e ka cilësuar si grup që ushqen urrejtjen kundër komunitetit LGBTQ”.

Alberto Fernandez, i cili drejtonte Rrjetet e Transmetimit në Lindjen e Mesme, tha se ishte krenar për punën që bënë këto rrjetet gjatë mandatit të tij tre-vjeçar dhe i nderuar që kishte punuar me gazetarë të talentuar në Shtetet e Bashkuara, Dubai, Bejrut dhe vende të tjera. Ai gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen agjencitë përbërëse të USAGM për mbulimin e lajmeve për shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit në të gjithë botën.

"U përcjell urimet e mia atyre që do të fillojnë punë në USAGM,” komentoi përmes Twitterit zoti Fernandez të mërkurën vonë. "Shpresoj se e kanë të qartë se çfarë po bëjnë. Ata kanë një shans të menjëhershëm për të bërë ndryshime. Dje qeveria irakene mbylli transmetuesit e Radio Sawa-s në Bagdad, Basra dhe Karbala dhe kërcënoi se do të sekuestronte objekte që janë pronë e qeverisë amerikane."

Michael Pack gjatë seancës për konfirmimin e tij si shef ekzekutiv i agjencisë USAGM më 19 shtator 2019.
Michael Pack gjatë seancës për konfirmimin e tij si shef ekzekutiv i agjencisë USAGM më 19 shtator 2019.

Më herët të mërkurën zoti Pack komunikoi për herë të parë me punonjësit e Zërit të Amerikës që pas konfirmimit nga Senati javën e kaluar, duke u zotuar në një email për të respektuar rolin e tij të mandatuar për të ofruar gazetari të pavarur në të gjithë botën, edhe pse USAGM është një agjenci e financuar nga qeveria amerikane.

Pack shkruante se ai është "plotësisht i përkushtuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës ... dhe pavarësinë e gazetarëve tanë heroikë në të gjithë botën".

Michael Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump më shumë se dy vjet më parë për të drejtuar USAGM. Por emërimi i tij hasi në rezistencë të fortë nga demokratët. Senati i kontrolluar nga republikanët votoi vetëm dy javë më parë për të miratuar një mandat tre vjeçar për zotin Pack për të kryesuar USAGM.

Votimi në Senat u bë megjithëse zyra Prokurorit të Përgjithshëm në Uashington njoftoi muajin e kaluar se po hetonte nëse zoti Pack kishte vepruar në mënyrë të paligjshme duke kaluar fonde nga një organizatë jofitimprurëse në kompaninë e tij fitimprurëse për realizimin e filmave.

Javët e fundit, zoti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve lidhur me reagimin e Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës po menaxhohet në mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Janë e kundërta e Zërit të Amerikës”.

Zoti Pack nuk përmendi Presidentin Trump apo polemikat e fundit në emailin e tij për stafin. Po ashtu ai nuk tha se kë planifikon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës.

Ish-drejtoresha e VOA, Amanda Bennett ka folur me vendosmëri në mbrojtje të gazetarisë së pavarur në Zërin e Amerikës, duke kundërshtuar kritikat e fundit të Presidentit Trump dhe duke mbrojtur misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve, që financohet me fonde federale.

"Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione të bazuara tek faktet, të vërteta, të besueshme," tha zonja Bennett. Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane garanton lirinë e fjalës.

"Për këtë arsye më shumë se 80 për qind e audiencës sonë prej 280 milionë vetësh në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende thonë se ata e konsiderojnë punën tonë si të besueshme," tha zonja Bennett.

Disa organizata për lirinë e shtypit kanë shprehur shqetësim për zotin Pack në rolin e shefit ekzekutiv të USAGM, duke përmendur punën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon dhe duke parashikuar se ai mund të mos i bëjë qëndresë presionit të Shtëpisë së Bardhë për mbulimin e lajmeve në mënyrë të favorshme për presidentin.

Gazeta New York Times shkruante në një artikull redaksional të martën se "Mundësia e shndërrimit të Zërit të Amerikës në një vegël propagandistike të Shtëpisë së Bardhë duhet të jetë e frikshme për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga prirjet politike. Artikulli përfundonte me fjalët “Zoti Trump dëshiron të ketë një altoparlant, jo një mjet diplomatik dhe ai kërkon me ngulm besnikëri”.

Kur zoti Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Transmetimit, që më parë kontrollonte Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera si-motra - publikuan përkufizimin e tyre të gazetarisë së pavarur në Regjistrin Federal të akteve të qeverisë.

"Secili nga rrjetet e financuara nga USAGM gëzon pavarësi të plotë redaksionale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë," thuhet në deklaratë.

"Pavarësia redaksionale përfshin, por nuk kufizohet vetëm në faktin që vetëm individë brenda rrjetit mund të marrin vendime në lidhje me ndjekjen ose raportimin e lajmeve," thanë anëtarët e bordit. "Rrjetet e përfshira në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, USAGM dhe punonjësit e tyre, duke përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë plotësisht të mbrojtur nga çdo presion politik ose presion tjetër i jashtëm ose nga procese që do të ishin në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”.

Michael Pack, në mes të të 60-tave, ka mbajtur më parë poste të ndryshme drejtuese në agjenci qeveritare apo publike amerikane. Por vitet e fundit, siç shkruan ai në emailin drejtuar punonjësve të USAGM, ai ka drejtuar një kompani private, Manifold Productions, që ka realizuar 15 dokumentarë që janë transmetuar në SHBA përmes Shërbimit të Transmetimeve Publike.

"Këto filma ishin gjithashtu mënyra ime për të treguar historinë e Amerikës," shkruante ai. "Megjithëse realizimi i dokumentarëve është proces shumë interesant, unë mezi prisja të kthehesha në transmetimet ndërkombëtare në këtë pikë kritike në historinë tonë”.

Ai shkruante më tej: "kundërshtarët e Amerikës kanë intensifikuar përpjekjet e tyre të propagandës dhe dezinformimit. Ata po promovojnë në mënyrë agresive vizionet e tyre shumë të ndryshme për botën”.

Zoti Pack shkruante se ai do të kërkojë të rrisë moralin ndër punonjësit në USAGM dhe "do të shqyrtojë disa nga problemet që janë shfaqur në media vitet e fundit”.

“Më e rëndësishmja: misioni im do të jetë ta bëj agjencinë më efektive,” shkruan shefi i ri ekzekutiv i USAGM, Michael Pack.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG