Lidhje

Vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë, humbje për Presidentin Trump


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mori këtë javë vendime për imigracionin dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ që ishin humbje për administratën e Presidentit Donald Trump, pasi kanë të bëjnë me çështje të rëndësishme për përkrahësit e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës,Patsy Widakuswara njofton lidhur me reagimin e presidentit ndaj këtyre vendimeve dhe se si mund të ndikojnë ato politikisht tek fushata për rizgjedhjen e tij në nëntor.

Aktivistët e imigracionit përshëndetën vendimin Gjykatës së Lartë të 18 qershorit për programin DACA, që mbron nga deportimi imigrantët pa dokumenta, që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara, si fëmijë.

Gjykata tha se administrata nuk kishte ndjekur rregullat e duhura për t’i dhënë fund programit, që tani për tani do të mbetet në fuqi.

Po këtë javë, gjykata arriti në përfundimin se ligji federal i ndalon punëdhënësit të diskriminojnë punonjësit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Presidenti Donald Trump tha se pranonte vendimin.

“E morën vendimin dhe ne e pranojmë. Kështu funksionon. Ne pranojmë vendimin e Gjykatës së Lartë”, tha ai.

Por në Twitter, zoti Trump i quajti vendimet e Gjykatës së Lartë “të tmerrshme dhe të motivuara politikisht”, goditje ndaj konservatorëve.

Sulmet e zotit Trump u drejtoheshin veçanërisht anëtarëve konservatorë të gjykatës, që votuan me liberalët. Pesë nga nëntë anëtarët e Gjykatës janë emëruar nga administrata republikane, përfshirë të tijën.

“Presidenti Trump gjithmonë e ka konsideruar gjyqësorin si ‘ne kundër tyre’, pra do të ketë disa gjyqtare që duhet të jenë pro tij dhe të tjerë kundër tij. Ai nuk e kupton ose respekton ndarjen e pushteteve dhe rolin e pavarësisë së gjyqësorit. Ai thjesht mendon që ka gjyqtare republikanë dhe demokratë”, thotë Adam White, një ekspert konstitucionalist në Institutin “American Enterprise”.

Emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë është i përjetshëm. Megjithëse nuk ka vende të paplotësuara aktualisht, presidenti ka folur për nevojën për “gjyqtarë” të rinj dhe ka premtuar se do të nxjerrë disa emra kandidatësh deri më 1 shtator. Kandidati demokrat për president, Joe Biden ka thënë se do të emërojë një afrikano-amerikane në gjykatë.

“Jo vetëm demokratët, por edhe republikanët po thonë se duhet t’i fitojnë zgjedhjet për të kontrolluar ose mbrojtur Gjykatën e Lartë. Është një aspekt negativ i sistemit tonë për të emëruar gjykatësit”, thotë Prof. Peter Strauss i Universitetit Columbia.

Baza e Presidentit Trump është në përgjithësi kundër të drejtave të komunitetit LGBTQ dhe imigracionit.

Por anketat e fundit tregojnë se 72 për qind e amerikanëve mbështet të drejtat civile për qytetarët LGBTQ dhe 74për qind mbështesin një status të përhershëm ligjor për të ashtuquajturit “Ëndërrimtarët”, imigrantë që janë sjellë si fëmijë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta.

“Këta të rinj pa dyshim që gëzojnë mbështetje të madhe. Prandaj ka gjasa të shohim një situate ku baza e tij të mos bëjë presion për t’u marrë me këtë aspekt të imigracionit, krahasuar me të tjerët”, thotë Cristobal Ramon, një analist i politikave të imigracionit në Qendrën për Politika Dypartiake.

Por administrata e Presidentit Trump tha se do të vazhdojë të luftojë kundër DACA-s.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet në mënyrë të përgjegjshme për të ndrequr disa nga defektet dhe mospërputhjet ligjore të dokumentit të administrates së kaluar lidhur me këtë çështje”, tha Kayleigh McEnany, Sekretare Shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Analistët thonë se çdo përpjekje për t’i dhënë fund DACA-s, ka mundësi të përballet me sfida të tjera ligjore dhe nuk ka gjasa që kjo çështje të zgjidhet para zjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG