Lidhje

Shqipëri, tjetër vdekje nga Koronavirusi, rriten të shtruarit në spital


Në Shqipëri një tjetër person humbi jetën pasditen e së hënës, ndërsa kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID 19. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 62 vjeçari gjendej prej dy javësh i shtruar në spitalin Infektiv ndërsa prej 10 ditësh ishte në terapi intensive. Në ndryshim nga rastet e mëparshme, 62 vjeçari nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria iu drejtua sërish qytetarëve duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse “pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është i pranishëm, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale”.

Në fakt në 11 ditët e fundit, është vënë re një shtim i vdekjeve, me një mesatare prej një viktimë në ditë. Ndërsa që nga fillimi i epidemisë janë 45 persona që kanë humbur jetën si pasojë e COVID 19-ës.

Edhe në spital numri i të shtruarve ka ardhur duke u rritur ditë pas dite. Të hënën, sipas të dhënave të përditësuara, numri i pacientëve shkoi në 82 persona, ku 10 prej tyre janë në terapi intensive dhe 1 tjetër është i intubuar.

Krahasuar me ditët e tjera, numri i rasteve të reja ra në 30 të infektuar, por nga ana tjetër edhe testimet ishin më të reduktuara, krahasuar me tre ditët e kaluara. Të prekurit e 24 orëve të fundit janë nga 4 qytete të ndryshme të vendit. Pjesa dërrmuese e tyre janë në Tiranë, 23 të prekur, ndërsa 8 janë në Shkodër dhe nga 1 rast në Pogradec dhe Kamëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG