Lidhje

Zyrtarët e shëndetësisë dëshmojnë në Kongres mbi masat ndaj koronavirusit


Zyrtarë të lartë të Shëndetit Publik kanë dalë përpara një komisioni të Kongresit të martën ndërsa vendi po përballet me një rritje të rasteve të reja me koronavirus. Ndër ata që janë planifikuar të flasin përpara ligjvënësve të Komisionit të Energjisë dhe Tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve mbi masat e marra nga administrata Trump si përgjighë ndaj krizës, janë Dr. Anthony Fauci kreu i Institutit Kombëtar për Alergjitë e Sëmundjeve Infektive, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr. Robert Redfield, shefi i Administratës së Ushqimit e Barnave Dr. Stephen Hahn dhe Adm Brett Giroir, kreu i Shërbimit Shëndetësor Publik.

Zoti Fauci është një ndër ekspertët e shëndetit publik që thotë se njerëzit nuk duhet të përqendrohen tek një valë e dytë e virusit pasi vendi ende nuk ka dalë nga vala e parë e tij. Shumë shtete po lehtësojnë kufizimet e vendosura për të ndaluar përhapjen e virusit, pavarësisht rritjes së numrit të infeksioneve të reja në rreth gjysmën e 50 shteteve amerikane. Në një postim në twitter të martën Presidenti Donald Trump shkruante se infeksionet me koronavirus po rriten "sepse ne po testojmë shumë më tepër se çdo vend tjetër dhe testimet po zgjerohet gjithnjë e më shumë".

Zoti Trump tha gjatë një tubimi fushate të shtunën në Tallsa të Oklahomës se ai do t'i kërkonte administratës së tij ta ngadalësonte procesin e testimeve pasi kryerja e sa më shumë prej tyre do të rriste numrin e të testuarve pozitivë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë janë përpjekur ta distancojnë vetëm nga komentet e tij, duke thënë se ato nuk u thanë seriozisht.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha të hënën se rivendosja e kufizimeve do të ishte mjeti i fundit që do të përdorej ndaj situatës ndërsa shtoi se virusi po përhapet në "norma të papranueshme". Ai nuk pranoi të nxjerrë një urdhër për të detyruar përdorimin e maskave në publik.

Teksasi ka shënuar rekorde ditore në infeksione të reja për gati dy javë dhe rastet e shtrimit në spital po rriten gjithashtu. Shteti fqinj Luiziana i tejkaloi të 3 mijë vdekjet për shkak të COVID-19 dhe për shkak të rritjes së infeksioneve të reja guvernatori John Bel Edwards tha do të mbante në fuqi kufizimet aktuale të cilat skadojnë të premten.

Shkalla e shtrimit në spitale është rritur gjithashtu në Xhorxha. Numri i rasteve të reja me COVID-19 ka shënuar rritje në më shumë se 12 shtete. Aktualisht vendi ka më shumë se 120 mijë të vdekur dhe 2.3 milionë raste me koronavirus prej fillimit të pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG