Lidhje

25 vjet nga miratimi i ilaçit që revolucionarizoi luftën kundër sidës


25 vjet më parë në qershor, në Shtetet e Bashkuara filluan provat klinike për një ilaç që rezultoi të ishte trajtimi i parë efektiv i sëmundjes së sidës. Kjo nxiti prodhimin e një gjenerate ilaçesh që shpëtuan një numër të madh jetësh dhe ende po ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti i hedh një vështrim kohës kur epidemia e sidës po përhapej pa kontroll, dhe na prezanton me një njeri që nuk do të ishte gjallë sot pa përdorimin e këtyre ilaçeve.

Kevin Lee Taylor ishte 22 vjeç kur një infermiere i tha se ai ishte infektuar me virusin HIV.

"E shikova atë dhe e pyeta: çfarë kam unë? Ajo më tha se isha i infektuar me HIV. Unë nuk kisha dëgjuar më parë për virusin HIV."

Një mjek pastaj hyri në dhomë dhe i tha zotit Taylor:

Rregullo punët tuaja sepse nuk ka shërim. Nuk ka trajtim. Nuk mund të bëjmë asgjë."

I tronditur dhe i shtangur, Taylor u kthye në shtëpinë e tij në Riçmond të Virxhinias.

Ishte viti 1985. Në atë kohë, ekzistonte një stigmë ndaj njerëzve të infektuar me virusin HIV, që shkakton sëmundjen e sidës. Njerëzit shmangnin personat me këtë sëmundje, diçka që Taylor e pa në një raport lajmesh atë natë.

Protestat shpërthyen në një shkollë në Indiana kundër ardhjes së nxënësit Ryan White, i cili ishte diagnostikuar me sëmundjen e sidës pas një transfuzioni gjaku.

"Po mendoja, nëse ata janë kaq armiqësor ndaj një nëntë vjeçari të bardhë, a mund ta imagjinoni se si do të reagonin ndaj meje?"

Kështu që Taylor, një homoseksual, nuk i tregoi askujt për sëmundjen dhe ishte pa simptoma me vite. Përfundimisht ai u shtrua në spital kur sistemi i tij imunitar u dobësua shumë nga sida.

Nuk kishte trajtime efektive për sidën dhe në vitin 1995, më shumë se 300,000 amerikanë vdiqën nga kjo sëmundje.

"Ajo po vriste homoseksualët dhe askush nuk brengosej për këtë”, tha zoti Taylor.

Për vite me radhë, grupe si ACT UP organizuan protesta, në të cilat bëhej thirrje për më shumë fonde për trajtimet për sidën.

Në intervistën e tij të fundit në kamera para se të vdiste në maj, themeluesi organizatës ACT UP, Larry Kramer i tha Zërit të Amerikës se komuniteti i të infekuarve me sidën ndjehej i braktisur.

"Kështu që ne po vepronim "të vetëm" në përpjekjet për t’i treguar botës se po vdisnim nga ky virus misterioz që po vriste të gjithë të infektuarit", tha zoti Kramer.

Organizata e zotit Kramer, me sloganin "Heshtja = Vdekjen", sulmoi Administratën amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve, e cila miraton përdorimin e ilaçeve të reja.

Richard Klein punonte për këtë agjenci në atë kohë.

"Unë mendoj se kjo ishte një thirrje rizgjimi për Agjencinë e Ushqimit dhe Ilaçeve, sepse ata arritën të mbyllnin ndërtesën dhe agjencinë", tha Richard Klein, Drejtor i Programit për Sidën në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve.

Dalëngadalë, ndryshimi filloi të ndodhte. Aktivistët e AIDS-it u emëruan si këshilltarë pacientësh në komisionet këshilluese të Agjencisë së Ushqimit dhe Ilaçeve.

Studimet e financuara nga qeveria u përqëndruan në mënyrat e rritjes së nivelit të mbijetesës për të infektuarit me HIV.

Provat klinike dhe shqyrtimi i ilaçeve u shpejtuan, duke përfshirë një lloj të ri të quajtur frenues të proteazës. Kur u kombinuan me ilaçe të tjera, ato bllokuan aftësinë e virusit për t’u riprodhuar dhe për të rritur rezistencën ndaj trajtimeve.

"Papritmas ne krijuam një pengesë të pakapërcyeshme për virusin për t’u bërë rezistent ndaj tre ilaçeve të kombinuara. Dhe kjo bëri një ndryshim të madh", tha Richard Klein, Drejtor i Programit për Sidën në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve.

Në qershor të vitit 1995, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve autorizoi një studim të ilaçit sekuinavir, frenuesit të parë të proteazës. Në dhjetor, me një shpejtësi të madhe për qeverinë, ai u miratua si pjesë e kombinimit të parë efektiv dhe të qëndrueshëm të ilaçit. Për dekada me radhë, Dr. Anthony Fauci ka udhëhequr përpjekjet e qeverisë amerikane në luftën kundër virusit HIV.

Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive- skype

"Ai (ilaçi) transformoi plotësisht jetën e personave të infektuar me HIV, sepse ishte hera e parë që kishim ilaçe mjaft të efektshme kundër HIV-it", tha ai.

Në mesin e personave të shëruar ishte edhe Kevin Lee Taylor. Tani 57 vjeç, ai ende po përdor ilaçet që e kanë mbajtur gjallë për dekada.

"Jo për t’u shëruar, por të paktën për të patur një lloj jete më të mirë krahasuar me gjendjen e mëparshme, kur thjeshtë ishe në pritje të fundit tënd", tha ai.

Më shumë se një milion amerikanë jetojnë me HIV sot, dhe më shumë se 37 milionë njerëz në nivel global.

Ndërsa niveli i vdekshmërisë ka rënë, zbulimi i një vaksine ose një shërimi është ende i pakapshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG