Lidhje

Presidenti Trump flet për politikat e tij të imigracionit në shtetin e Arizonës


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump vizitoi të martën shtetin jugperëndimor të Arizonës, ku inspektoi murin kufitar me Meksikën dhe mbajti një fjalim fushate duke e vënë theksin tek arritjet e tij në drejtim të imigracionit. Këtë javë, administrata e tij po pezullon disa lloje vizash pune për të huajt, duke thënë se kjo do të lehtësojë pasojat ekonomike të pandemisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton.

Presidenti Donald Trump vizitoi dhe vuri firmën në një segment të murit kufitar në Arizona.

Administrata e tij thotë se 322 kilometra janë ngritur përgjatë kufirit jugperëndimor të vendit.

“Kjo është struktura më e fuqishme dhe mbrojtëse se çdo strukturë kudo në botë. Ka një teknologji të jashtëzakonshme, mes sensorëve, kamerave dhe çdo gjëje tjetër,” tha presidenti.

Administrata synon të ndërtojë 725 kilometra deri në fund të vitit. Sipas Agjencisë së Doganave dhe Ruajtjes së Kufirit, pjesa më e madhe e murit zëvendëson sistemet ekzistuese frenuese.

Ndërkohë në fillim të javës, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, duke pezulluar disa viza pune deri në fund të vitit, përfshirë H-1B për njerëz në fusha të specializuara si në teknologji. Administrata tha se urdhri do të ndihmojë amerikanët që kërkojnë punë në këtë kohë pandemie. Por kompani përfshirë Amazon dhe Google, që duhet të rekrutojnë mijëra punonjës të huaj me aftësi të veçanta çdo vit, reaguan ashpër.

“Disa nga këto aftësi të veçanta, nuk i gjen tek punonjësit këtu. Ekziston një mendim se të gjithë punonjësit e teknologjisë janë njëlloj, por ka disa aftësi sidomos në teknologji të avancuara, si inteligjenca artificiale, për të cilat është thjesht e pamundur të nxjerrësh një reklamë dhe 20 veta të vijnë të aplikojnë për atë punë”, thotë analisti i Institutit “American Enterprise”, James Pethokoukis.

Urdhri mund të prekë qindra-mijëra punonjës të huaj, përfshirë ata me viza H-2B për punonjës sezonalë jo në bujqësi dhe disa kategori të tjera njerëzish aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara, pa viza.

“Vizat J që përfshijnë dadot, studentët e programeve të këmbimit, studiues dhe madje edhe mjekë të huaj. Si edhe vizat L për ekzekutivët e biznesit, menaxherët dhe njerëz me aftësi të specializuar”.

Ishte tubimi i parë i zotit Trump që nga ai i Tulsës në Oklahoma ku morën pjesë më pak vetë nga ç’priteshin. Me vizitën në kufi, presidenti u përpoq të mobilizonte bazën duke u përqendruar tek imigracioni, një premtim kyç i fushatës.

“Duket të jetë pjesë e një filozofie më të gjerë ekonomike dhe politike që imigracioni është i keq për Amerikën. Dhe përsa kohë republikanët, përfshirë presidentin mendojnë se kjo është ajo që do baza, ata do të përpiqen ta realizojnë”, thotë analisti Pethokoukis.

Rivali i presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit, kandidati demokrat Joe Biden dënoi kufizimet e mëtejshme ndaj imigracionit, duke i quajtur “një tjetër përpjekje për të tërhequr vëmendjen” nga dështimi i administratës “për një përgjigje efektive ndaj COVID-19.”

Presidenti Trump e përfundoi vizitën në Arizona, me një fjalim me stil fushate në një aktivitet të quajtur “Studentët për Trumpin”.

"E majta radikale e urren historinë tonë. Ata urrejnë vlerat tona dhe çdo gjë që ne kemi të shtrenjtë si amerikanë. Ne kemi të drejtë. Sepse vendi ynë nuk u bë madhështor prej tyre, por me ju, me mënyrën tuaj të të menduarit dhe ideologjinë tuaj”.

Ndëra Arizona tradicionalisht është konsideruar një bazë e sigurt për kandidatët republikanë, ajo është shdërruar tani në një shtet të pavendosur, ku rezultati i zgjedhjeve të nëntorit, është i paparashikuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG