Lidhje

Presidenti Trump dhe homologu polak diskutojnë bashkëpunimin ushtarak


President Donald Trump and Polish President Andrzej Duda reach to shake hands at a news conference in the Rose Garden of the White House, in Washington, June 12, 2019.

Humbja e Gjermanisë do të jetë përfitimi i Polonisë - ky ishte thelbi i një mesazhi që Presidenti amerikan Donald Trump komunikoi të mërkurën, së bashku me Presidentin polak Andrzej Duda, kur diskutoi zhvendosjen e mijëra trupave amerikane në Evropë.

Shtetet e Bashkuara ndoshta do të transferojnë disa ushtarakë nga Gjermania në Poloni, konfirmoi presidenti Trump, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në një konferencë të përbashkët shtypi në Shtëpinë e Bardhë .

"Ne do të zvogëlojmë trupat tona në Gjermani," tha Trump.

Administrata e tij po planifikon të zvogëlojë numrin e trupave të vendosura në Gjermani në 25,000 nga 34.500, duke sjellë disa trupa në vend dhe duke lëvizur të tjera, për të ndëshkuar kancelaren Angela Merkel për mos pagimin e asaj që presidenti amerikan e percepton si pjesën që i takon Berlinit të paguaj kundrejt kostove të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Anëtarët e NATO-s supozohet të shpenzojnë të paktën 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje çdo vit, por nuk është një kërkesë juridikisht e detyrueshme.

Trump është i shqetësuar gjithashtu që Gjermania blen gaz natyror nga Rusia, që dërgohet përmes tubacionit Nord Stream.

"Mendoj se njerëzit në Gjermani janë shumë të pakënaqur" me vendin e tyre që shpenzon "miliarda dollarë për të blerë energji ruse," tha Trump.

Gati 'për të marrë trupa'

Duda tha në konferencën për shtyp pasditen e së mërkurës se i kërkoi presidentit Trump "të mos tërheq trupat amerikane nga Evropa", duke shtuar "Unë jam gati" për të marrë më shumë trupa amerikane në Poloni.

Ushtria amerikane ka planifikuar të dërgojë një ekip luftarak të brigadave të blinduar në Poloni për dislokime me rotacion.

Polonia ka shprehur nevojën për më shumë mbështetje ushtarake që nga aneksimi nga Rusia në vitin 2014 i Krimesë aty pranë.

Trump tha se ai mezi pret që të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi mbrojtjeje me Poloninë.

Takimi i së mërkurës ishte i pari i presidentit Trump me një udhëheqës të huaj që kur u shpall pandemia e koronavirusit në mars. Ishte gjithashtu hera e tretë që Duda kishte ardhur në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës Trump.

Duda është në një garë befasisht të ngushtë për rizgjedhje në Poloni, dhe Trump e përdori konferencën në Kopshtin e Trëndafilave për të lavdëruar presidentin dhe marrëdhëniet SHBA-Poloni.

"Besoj se ai përballet me zgjedhje dhe besoj se ai do të jetë shumë i suksesshëm," tha Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG