Lidhje

Tensionet SHBA-Kinë


8 tetor, 2018. Pekin

Takimi i 17 qershorit mes diplomatëve të lartë amerikanë e kinezë u zhvillua pa bujë dhe larg syve të publikut, aq sa nuk u publikuan as fotografi të aktivitetit. Burime diplomatike njoftojnë se takimi u organizua me kërkesë të Kinës. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch, takimi u zhvillua në një periudhë tensionesh të shtuara mes dy vendeve për një numër çështjesh:

Kritikat e Uashingtonit për Kinën nuk janë kufizuar vetëm tek përgjigja e Pekinit ndaj shpërthimit të epidemisë:

“Veprimet e qeverisë kineze ndaj Hong Kongut janë shembujt më të freskët në një seri masash për të kufizuar statusin krenar që ka mbajtur ky territor prej kohësh,” tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump ka kërcënuar se do të shkëpusë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, ndërkohë që mbetet pezull marrëveshja dypalëshe tregtare.

Në Havai më 17 qershor, takimi mes Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe shefit të diplomacisë kineze, Yang Jiechi, nuk ofroi shumë zgjidhje.

Kina i cilësoi bisedimet si konstruktive.

Shtetet e Bashkuara thane se Kina nuk ishte treguar e hapur dhe se po presin të shohin ulje të asaj që e kanë cilësuar si sjellje agresive të Pekinit.

Dy ditë pas takimit, Sekretari Pompeo paralajmëroi pjesëmarrësit në Samitin e Kopenhagës për synimet e Kinës:

“Kina po përhap dizinformim dhe po vazhdon fushata keqdashëse në hapësirat dixhitale për të minuar qeveritë tona në mënyrë që të krijojë përçarje mes SHBA dhe Evropës dhe po ngarkon me borxhe vendet në zhvillim që t’i fusë në varësinë e saj. Duhet të heqim syzet e arta të lidhjeve ekonomike dhe ta kuptojmë se ky problem jo vetëm që na ka ardhur tek pragu, por është i pranishëm në çdo kryeqytet e në çdo distrikt. Cdo investim nga kompani që zotërohen nga shteti kinez duhet parë me dyshim,” tha zoti Pompeo.

Pekini e akuzon Sekretarin Pompeo se po përpiqet të krijojë divergjenca mes Kinës dhe vendeve të tjera.

Zhao Lijian, zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze

“Pompeo përsëri bëri akuza të pabaza ndaj Kinës në fjalimin e tij, duke u përpjekur të mbillte armiqësi mes Kinës dhe vendeve të tjera. Kina e kundërshton me forcë këtë qëndrim. Komentet e këtij politikani amerikan lidhur me Kinën bien ndesh me faktet. Po ashtu ato nuk kontribuojnë për zgjidhje, thjesht dëshmojnë mentalitetin dhe paragjykimet ideologjike që ai ka trashëguar nga Lufta e Ftohtë,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze.

Nga Deti i Kinës së Jugut deri në kufirin me Indinë, Kina po shpalos fuqinë e saj ushtarake, gjë që përbën problem për Uashingtonin, thonë analistët.

“Në vende si Tajvani, por edhe më tej, Kina do të dojë të tregojë forcën ushtarake. Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë mënyra inteligjente për t’iu kundërvënë kësaj tendence. Por shpresojmë ballafaqimi t’i ngjajë më shumë një ndeshje mundjeje se sa boksi apo lufte me shpata. Me pak fjalë, kundërvënia jonë nuk duhet të çojë në ballafaqime me dhunë,” thotë analisti Michael O’Hanlon.

Zoti Pompeo thotë se vendet kanë përpara një zgjedhje:

“E kam të qartë se në Evropë është shfaqur frika se Shtetet e Bashkuara duan nga ju të zgjidhni ose anën tonë ose të kinezëve. Nuk është ashtu. Këto zgjedhje po jua imponon Partia Komuniste Kineze. Nuk është zgjedhje mes dy vendeve, por zgjedhje mes lirisë dhe tiranisë,” tha zoti Pompeo.

Ndërkaq, njoftohet se Kina dhe India kanë rënë dakord të ulin tensionet pas një përleshjeje kufitare që la 20 ushtarë indianë të vdekur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG