Lidhje

Shqipëri, nuk ndalen viktimat nga COVID 19


Nuk ndalen viktimat nga Koronavirusi në Shqipëri, ku që prej dy javësh janë rregjistrur 15 vdekje, e fundit gjatë ditës së sotme. Bëhet fjalë për një pacient 66-vjeçar nga Tirana, i cili ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë. “Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari, i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Që nga fillimi i epidemisë, janë 49 qytetarë të cilë kanë humbur jetën.

Në spitalin Infektiv, ndonëse është rregjistruar një rënie e numrit të të shtruarve, pacientët që janë në gjendje kritike janë më të shumtë. Sipas të dhënave zyrtare, “aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar”.

Edhe rastet e reja vijojnë të jenë të larta. “Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive. Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja”, deklaroi Flutura Beqo, e ministrisë së Shëndetësisë. Të prekurit janë zbuluar në 17 qtete të ndryshme të vendit, me një shtrirje gjeografike që përfshin thuajse të gjithë territorin. “Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec”, bëri të ditur zonja Beqo.

Që nga fillimi I epidemisë deri më sot janë 2192 raste që kanë rezultuar pozitiv ndaj COVID 19-ës, prej të cilëve 42 përqind vetëm në 16 ditët e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG