Lidhje

Meta: Thaçi dhe Veseli do t’i përballin akuzat me dinjitet dhe urtësi


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha të premten para shtypit se akuzat publike ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish- Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përbëjnë një zhvillim mjaft sfidant, që do të përballohet me urtësi, unitet dhe largpamësi.

“Kjo nuk është një sfidë e tyre individuale apo institucionale. Kjo do të përballohet me dinjitet dhe përgjegjshmëri, jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga e gjitha klasa politike në Kosovë” - tha zoti Meta.

Ai tha se kjo nuk është hera e parë, që ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ngrihen aktakuza.

“Në eksperiencën e këtyre 20 viteve, pala e humbur, që shkaktoi luftën dhe gjenocidin, që ishte dhe vetë përgjegjëse për krijimin e UÇK-së si e vetmja rrugë për të fituar lirinë dhe dinjitetin njerëzor, si dhe për t’i shpëtuar eksterminimit nga populli i Kosovës, e ka kthyer në një strategji të sajën, njollosjen e UÇK-së” - tha Presidenti Meta.

Ai tha se pala serbe përpiqet të dëmtojë funksionimin e shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit është njohur dhe konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë prej shumë kohësh, ndërsa Kosova ka treguar se është një faktor qëndrueshmërie në rajon.

“Shpreh solidaritetin tim edhe si President i Republikës, edhe si mik e si shok me Presidentin e Kosovës, si dhe me Kryetarin e PDK-së zotin Veseli. Ata do ta përballojnë me dinjitet dhe përgjegjësi këtë çast, duke konfirmuar drejtësinë e luftës së UÇK-së” - tha zoti Meta.

Presidenti i Shqipërisë tha se Thaçi dhe Veseli do të rrëzojnë këtë strategji tepër të gabuar dhe provokative, që kërkon të mbajë peng të gjithë rajonin dhe të ngadalësojë proceset e integrimit europian dhe të minojë integrimit euro-atlantik, siç ka ndodhur edhe në disa vende të tjera fqinje.

Pas publikimit të akuzës nga Prokuroria e posaçme për Kosovën ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe drejtuesit të PDK-së-Kadri Veseli, edhe në Shqipëri pati reagime nga qarqet politike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se “ishte i indinjuar për akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe se ishte në krah të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”.

Ai i kushtoi një fjalim të posacëm akuzave ndaj ish drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se ata e bënë historinë e Kosovës, ndërsa Serbia shkaktoi mijëra viktima, të vrarë e të plagosur dhe 1 milionë banorë të shpërngulur.

“Me atë aktakuzë të pabesueshme nuk u u godit Thaçi e Veseli thjesht si individë, për Kosova e mbarë shqiptaria. Presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli janë nismëtarë në krijimin e bërthamës së rezistencës së armatosur ndaj Millshevicit, themelues të UÇK-së, por u dyshuakan për një varg krimesh që sfidojnë edhe kufijtë më të largët të imagjinatës; vrasje, përndjekje. Ata vendosën jetën e tyre në pikëpyetje për Kosovën e pavaruar” - tha zoti Rama.

Kryeministri Rama tha se Kosova ishte viktima e agresionit serb, dhe vuajti një histori padrejtësie historike në zemër të Europës.

Ai tha se këtë radhë nuk është fjala për të dalë ndokush para drejtësisë, por për të njollosur rezistencën e popullit të Kosovës dhe për të mbuluar me harresë krimet e agresorit serb.

“Ata të dy dhe shokët e tyre zgjuan ndërgjegjen e fjetur të Europës dhe botës për padrejtësitë serbe në Kosovë. Kjo nuk është goditje vetëm ndaj dy emrave të përveçëm, as mbi UÇK-në, por teksti i mbrëmshëm krijoi perceptimin e tmerrshëm të një vendi në mes të Europës, ku falë krimeve ndaj njerëzimit, është instaluar një regjim kriminal” - tha zoti Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha tha se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë, e cila nuk mund të përdhoset”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG